Shtatë shqiptarë në fushë në duelin kroat, frenohen Fenerbahce dhe Muriqi

schedule20:22 - 8 Shkurt, 2020

schedule 20:22 - 8 Shkurt, 2020

Plot shtatë lojtarë shqiptarë zbritën në fushë në ndeshjen Hajduk Split-Lokomotiva e Zagrebit. Vendasit fituan 1-0 falë golit të nigerianit Edouk në pjesën e parë dhe konfirmohen në vend të dytë të kampionatit kroat.

Ardian Ismajli dhe Francesco Tahiraj (u hodh në fushë në minutën e 79-të) ia dolën të fitojnë derbin ndaj Myrto Uzunit, Lirim Kastratit, Jon Mersinajt, Indrit Tucit dhe Enis Çokajt (këta dy të fundit u futën në lojë në pjesën e dytë).

Fenerbahce nuk shkoi më shumë se një barazim në shtëpi kundër Alanyasporit. 1-1 përfundoi ndeshja, teksa Max Kruse shënoi golin për ekipin e Vedat Muriqit (u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes). Kjo pikë e mban Fenerbahcen në vend të pestë me 38 pikë, tre më pak se kryesuesit e Trabzonspor dhe Sivasspor.

Sturm Grazi i Bekim Balajt nuk ia doli të kualifikohej në gjysmëfinalet e Kupës së Austrisë. LASK fitoi 2-0 dhe siguroi kualifikimin, ndërsa sulmuesi shkodran luajti 67 minuta në këtë përballje. /abcnews.al