Në një vjetorin e ndarjes nga jeta, shkrimtari Dritëro Agolli është përkujtuar përmes poezive dhe kujtimeve. Familjarë e të afërm e nderuan përmes një aktiviteti të veçantë.
Dritëro Agolli nuk jeton më, por ai është i pranishëm përmes letrave dhe krijimtaria e tij është e pasur me poezi, poema, tregime, romane, drama e skenare filmash.
Në një vjetorin e vdekjes, shkrimtari u përkujtua përmes poezisë në një aktivitet të organizuar për nder të tij.
Familjarë e miq ndanë kujtime me të pranishmit.
Shkrimtari, publicisti, anëtari i Akademisë së Shkencave e deputeti i Kuvendit të Shqipërisë u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare, tre Shkurtin e vitit që shkoi, ndërsa prej kohësh vuante nga një sëmundje në mushkëri.
Vepra letrare e shkrimtarit nga Devolli krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare dhe u përkthye në disa vende të botës.
Dritëro Agolli vlerësohet si një nga figurat qëndrore të poezisë shqipe dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”.
Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtar i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Ndersa në prozë, kontributi më i rëndësishëm i Dritëro Agollit konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” .
Ndërkohë që spikasin romani “Komisari Memo” si dhe “Njeriu me Top”.
Vepra e fundit e Dritëro Agollit është libri me poezi “Prit edhe pak” kushtuar bashkëshortes Sadijes, botuar vitin e kaluar./abcnews.al