Maqedoni e Veriut: BDI bllokon Kodin Zgjedhor, kërkon balancimin e njësive

schedule18:19 - 7 Shkurt, 2020

schedule 18:19 - 7 Shkurt, 2020

Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se mungesa e balancimit të numrit të votuesve në njësitë zgjedhore do të rezultonte në një proces zgjedhor të jashtëligjshëm. Zëdhënësi i kësaj partie dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, thotë se kjo është arsyeja që ata kanë bllokuar në Kuvend përfshirjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së në Kodin Zgjedhor.

Partia e Ahmetit shpreson se pavarësisht afatit të shkurtër, njësitë zgjedhore mund të balancohen.

“Devijimi nga 5%-shi ligjor në katër njësi zgjedhore e bën procesin zgjedhor joligjor. Janë rekomandimet e OSBE/ODIHR-së, janë të rëndësishme edhe për zgjedhjet, janë të rëndësishme edhe për vlerësimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj zgjedhjeve. Mirëpo të hyjmë me vetëdije në shkelje të ligjit dhe në një proces joligjor, unë mendoj se rrezikojmë shumë aspekte; rrezikojmë që dikush të kontestojë në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe rrezikojmë që pesha e votuesit të jetë e ndryshme”, tha Osmani.

Amendamenti i tyre për Kodin zgjedhor i cili parasheh zhvendosjen e kufijve të njësive dhe kalimin e disa vendvotimeve nga njëra njësi në tjetrën u është dorëzuar LSDM-së dhe VMRO-së. Sipas Osmanit, LSDM-ja është duke bërë analizat ndërsa VMRO-ja thotë se nuk ka kohë të mjaftueshme për këto ndryshime. VMRO ka thënë zyrtarisht se Kodi zgjedhor ndryshohet me konsensus mes partive dhe se punojnë akoma për ta arritur atë.

Nuk mundet, nëse dikush këmbëngul në diçka dhe kjo nuk votohet në Kuvend, të themi se shkelet ligjit. Ligji është ashtu siç është i shkruar dhe duhet të zbatohet. Gjithçka që duhet të bëhet në kuadër të ligjit, pavarësisht a bëhet fjalë për Kodin zgjedhor ose një ligj tjetër, ajo duhet të votohet në Kuvend dhe me gjasë kjo do të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme dhe normalisht më vonë duhet të respektohet”, ka thënë Igor Janushev.

Katër nga gjashtë njësitë zgjedhore kanë numër më të madh ose më të ulët të votuesve se sa e lejon ligji. Propozimi i BDI-së parashikon kalimin e disa vendvotimeve të Demir Hisarit dhe Negoriçanit të Vjetër nga njësia e dytë, në njësinë e tretë zgjedhor si dhe kalimin e disa vendvotimeve të Dibrës dhe Mavrovës dhe Rostushës nga njësia e gjashtë në njësinë e pestë zgjedhore. Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Oliver Derkoski, tha se nuk do të ishte hera e parë që zgjedhjet do të mbaheshin pa njësi zgjedhore të balancuara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!