Policia e Shtetit prej ditës së djeshme ka kaluar në gatishmëri të përforcuar. Në të gjitha qarqet shërbimet e Policisë janë angazhuar në ndihmë të banorëve ku është kërkuar ndihmë. Në Fier, Vlorë e Shkodër janë dërguar grupe të FNSH-s dhe të Delta Forcës.
Në Ferras e Novoselë ndodhen 2 njësi të FNSH- së Fier dhe 2 njësi të Deltës me makina me kalueshmëri të lartë dhe varka e gomone.
Në fshatin Theth, Shkodër është kërkuar ndihmë për ta transportuar drejt spitalit Shkodër një shtetase të huaj, e cila ka shfaqur probleme shëndetësore. Janë dërguar shërbimet e Policisë me mjete policie të lartë dhe mjekun e zonës.
Shërbimet e Policisë në Gjirokastër gjatë mbrëmjes janë angazhuar në evakuimin e banorëve të një pallati, ku ka pasur shkarje dheu dhe rrezikohej pallati.
Në të gjitha akset rrugore Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të orientuar e ndihmuar drejtuesit e mjeteve për shkak të prezencës së ujit në rrugë apo të dëborës në zonat e thella.
Patrullat e Përgjithshme në të gjithë territorin janë në patrullim të pandërprerë duke ju ardhur në ndihmë disa banorëve në qytete të ndryshme e fshatra që kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Në të gjitha Sallat Operative të Policisë është përforcuar shërbimi duke iu përgjigjur në kohë reale çdo telefonate të ardhur nga banorët në zona të ndryshme.
Policia e Shtetit është në gadishmëri të plotë duke bashkëpunuar e koordinuar veprimet me Emergjencat Civile dhe për çdo nevojë dhe ndihmë nga forcat e policisë të kontaktojnë në numrat e telefonit pa pagesë 112 e 129.
Në dispozicion të qytetarëve është vendosur edhe numri pa pagesë 0800 90 90, në rast neglizhence nga punonjësit e policisë./abcnews.al