Një serb i ka ndërprerë fjalimin ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott. Protestuesi ka ngritur parulla me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe të tjera me foton e presidentit rus, Vladimir Putin.
Një incident është verifikuar këtë të premte në Serbi, ku një person ka ndërprerë fjalimin që ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, po mbante në Universitetin e Nishit.
Sipas mediave ballkanase, eventi ishte organizuar nga klubi i miqësisë serbo-amerikane. Teksa ambasadori mbante fjalimin, një person ka ndërhyrë dhe ka ngritur parulla me foton e presidentit rus, Vladimir Putin.
Personi është identifikuar si Dragan Krstiç, kryetar i një shoqate për të drejtat e njeriut, i cili mes të tjerash ka bërtitur, “Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”! “Nuk na duhet demokracia amerikane! Na keni hedhur bomba!
Duam bazë ruse”, ka thënë mes të tjerash Krstiç.
Agjentët e sigurisë kanë ndërhyrë duke e larguar atë nga salla dhe më pas ia kanë dorëzuar policisë./abcnews.al