Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmanit pas heqjes së fotografisë së Presidentit Hashim Thaçi nga zyra e saj në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se Osmani ka shkelur rëndë ligjin duke e hequr fotografinë e presidentit Thaçi.
PDK ka thënë se ka dhënë shembull pas zgjedhjeve të 6 tetorit duke mbetur në opozitë dhe duke siguruar tranzicionin e pushtetit, por ka shtuar nuk do do të tolerojë që të cënohet rendi kushtetues e ligjor dhe asnjë institucion i rëndësishëm i Kosovës.
“PDK-ja është poashtu duke shqyrtuar dhe analizuar anën legale të zgjedhjes së saj si kryetare natën e mbrëmshme. PDK bën thirrje që kthimi i fotografisë së Presidentit të ndodhë sa më parë. Administrata e Kuvendit të Kosovës të reagojë pa vonesë, në të kundërtën, fotografia e Presidentit do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht, si ruajtje e karakterit kushtetues dhe sovranitetit të vendit. Vjosa Osmani, e zgjedhur natën dhe me votat e Listës Srpska, ka shkelur rëndë ligjin NR.03/L-132 Për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës duke hequr fotografinë zyrtare të Presidentit. Zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike dhe këtë gjë ajo duhet ta dijë mirë si eksperte dhe ligjëruese e jurisprudencës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK gjithahstu e ka quajtur primitiv veprimin e kryetares se re të parlamentit. Nder te tjera ato theksojne se me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyen rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës.
“Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përcarjes së qytetarëve. Që në ditën e parë në pozitën e re, ajo po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo ti shërbej institucionit ku është zgjedhur.Me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyen rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë”, thuhet në reagim./abcnews.al