Ambasadori shqiptar në Kinë, Selim Belortaja përmes një statusi në facebook u bën thirrje shtetasve shqiptarë që ndodhen në Kinë të marrin vendimin sa më shpejt pasi sipas tij, numri i të infektuarve rritet me rreth 3 000 në ditë, ku 65 humbin jetën.
“Shpërthimi i nCoV nuk është ndalur aspak. Nuk ka ende një ilaç kundër nCoV! Numri i të infektuarve rritet me rreth 3 000 në ditë, gjithsej raportohen 20 613 persona të prekur në Kinë. Ndërsa vdekjet ditore shkojnë 50-65 njerëz. Gjithsej kanë humbur jetën 427 persona që nga shperthimi i epidemise e deri më sot. Udhëheqja në Kinë i është dedikuar stopimit të epidemisë dhe gjetjes së formulës shkencore per shërimin. E hapur ndaj bashkepunimit nderkombetar. Por ende pa ndonjë deklaratë Relaksi e Zgjidhjeje! Sot që flasim nuk kemi kurrfarë arsye për eufori.
I drejtohem sidomos motrave e vëllezërve shqiptare në Kinë.
Sado të ashpra e vështirësuese që po bëhen për jetën e përditshme: Ndiqni e respektoni kufizimet, rregullat e rekomandimet e autoriteteve këtu: Administrative e higjeno-sanitare. Ato dinë më shumë se ç’bëhet këtu.
E dyta, merreni në dorë vetë zgjedhjen tuaj për vendqendrimin këto javë! Askush nuk ka zbuluar ndonjë formulë që s’jua tregon juve! Askush s’ka ndonjë platformë shtetërore të rezervuar! Merrni vendim të pjekur.
Të jemi optimist në vullnetin e kapacitetet e Kinës dhe përpjekjen e përbotshme është vetëm njëra anë. Tjetra është persistenca e pashembullt e këtij virusi. Uroj shëndet e fat të mirë për gjithkënd, në Shqipëri, Kinë e anekënd botës”, shkruan Belortaja në facebook./abcnews.al