Mbi 19 mijë persona të prekur nga gripi, ISHP: Nuk jemi në kushtet e epidemisë

schedule14:38 - 2 Shkurt, 2020

schedule 14:38 - 2 Shkurt, 2020

Mbi 19 mijë persona kanë kërkuar ndihmën e mjekut për shkak të infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes javën e fundit në vendin tonë. Të dhënat i bën të ditura Instituti i Shëndetit Publik i cili vëren se ky numër është 4% më i lartë se e njejta periudhë e vitit të kaluar. Në nisje të muajit shkurt specialistët vërejnë një prirje në rritje virozave ndërsa theksojnë se  në vend po qarkullojnë viruset e gripit A/H1, A/H3 dhe B.

Pavarësisht shifrave të larta, Instituti i Shëndetit Publik vlerëson situatën si normale për stinën dhe thotë se nuk jemi ende në kushtet e një epidemie.

Sipas ISHP 364 pacientë janë shtruar në spital për ndihmë më të specializuar mjekësore. 98 prej tyre kanë paraqitur komplikacione dhe janë  trajtuar në repartet e terapisë intensive.

Komplikacionet e gripit këtë sezon kanë shënuar dhe një viktimë. Një 61 vjeçare pak ditë më parë me sëmundje kronike të zemrës dhe me probleme të mushkërive humbi jetën në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Specialistët vijojnë të bëjnë apel për higjenë të shtuar personale dhe për të mos e neglizhuar gripin./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!