Bayern Munchen nuk hasi probleme në fushën e Mainz. Ekipi bavarez fitoi 1-3 dhe është ngjitur përkohësisht në vend të parë. Lewandovski, Muller dhe Thiago Alcantara (spanjolli realizoi një eurogol) shënuan brenda 18 minutave në pjesën e parë, teksa St Juste shënoi golin e nderit për ekipin vendas në minutën e 45-të.
Dortmund po kalon një formë fantastike dhe shënoi sërish pesë gola. E treta ndeshje radhazi që verdhezinjtë fitojnë me “manita” falë golave të Sanchos, Reus, Witsel dhe Haaland. Norvegjezi vijon të surprizojë dhe sot realizoi dy herë, duke u ngjitur në kuotën e 7 golave në tre ndeshje të zhvilluara me ekipin e ri.
Festë për Hoffenheim dhe Augsburg, që mposhtën në fushën e tyre 2-1 Bayer Leverkusen dhe Werder Bremen. Ekipi i Milot Rashicës ka harruar të fitojë dhe renditet në vend të parafundit. Pa fitues u mbyll sfida Fortuna Dusseldorf-Eintracht Frankfurt.
Valon Berisha debutoi me ekipin vendas, por goli i Chandler në minutën e katërt shtesë i hoqi fitoren nga duart Dusseldorfit. Në orën 18:30 luhet dueli Leipzig-M’Gladbach dhe vendasve u duhet fitorja për t’u rikthyer sërish në krye të Bundesligës. /abcnews.al
Bayern go ?
Dortmund on ?#BundesligaMD20 pic.twitter.com/n8uKCSO1XP— Bundesliga English (@Bundesliga_EN) February 1, 2020