Pas shpalljes së emergjences globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Presidenti Ilir Meta i bën thirrje institucioneve të marrin masa ekstreme për parandalimin e depërtimit të virusit kinez. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu mblodhi Task-Forcën për koronavirusin ku tha se është shtuar kontrolli në pikat kufitare.
Presidenti i Republikës Ilir Meta mendon se Shqipëria është seriozisht e ekspozuar ndaj virusit te ri që vjen nga Kina. Në një deklaratë për mediat nga Spitali Amerikan 1 në Tiranë kreu i shtetit kërkoi marrjen e masave të forta për të parandaluar depërtimin e koronavirusit në vendin tonë.
“Mendoj se rastet në Itali apo vendet fqinje tregojnë që ne jemi seriozisht të ekspozuar dhe duhet të parandalojmë me çdo kusht depërtimin e këtij virusi në vendin tonë. I kemi të gjitha mundësitë në rast se të gjithë bëjnë detyrën me përgjegjshmëri”, deklaroi Meta.
Ndërsa për shefen e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino shpallja e emergjencës globale për koronavirusin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk do të thotë masa ekstreme për Shqipërinë.
“ Shpeshehesë njerëzit e lidhin këtë shpallje me ndalimin e tregtimit të mallrave dhe fluturimeve gjë e cila nuk rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndeësisë për momentin”, theksoi Bino.
Megjithkëtë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i bëri thirrje qytetareve të shmangin udhëtimet drejt Kinës nëse nuk i kanë të domosdoshme.
“Do të përforcojmë masat për gjurmimet e rastit dhe izolimit të tij, do të rrisim gjithashtu edhe këshillimin e udhëtarëve që udhëtojnë drejt Kinës”, u shpreh Manastirliu.
Shpallja e gjendjes së emergjencës globale rrit nivelin e koordinimit ndërmjet shteteve nga Organiza Botërore e Shëndetësisë dhe siguron mbështetje për një përgjigje të përbashkët ndaj koronavirusit të ri./abcnews.al