Qeveria e Katalonjës projektoi krijimin e një ushtrie për të mbrojtur vendin nga reagimet e mundshme të Spanjës. Zbulimi është bërë nga Garda Civile. Ndërkohë, Karles Puxhdemon mbetet kandidat i vetëm për drejtimin e rajonit autonom.
Presidenca e Katalonjës projektoi krijimin e një ushtrie “për mbrojtjen e Republikës” pas shpalljes së pavarësisë. Kështu shkruan media spanjolle “El Pais” që citon një raport të Gardës Civile të dorëzuar në gjykatën e 13-të të Barcelonës. Këto forca të armatosura duhej të shërbenin për të “parandaluar, ndër rreziqet e tjera, ato që mund të vinin nga shteti spanjoll”, interpretojnë agjentët pasi shqyrtuan në detaje materialet e sekuestruara nga posta elektronike e Lluís Salvadó, ish Sekretari katalanas i Financave dhe numri dy i Oriol Junqueras.
Një nga ato emaile, dërguar javë para referendumit të paligjshëm të 1 tetorit, përmban një dokument të titulluar “Siguria e Republikës Katalane”. Atje është ngritur modeli i mbrojtjes i shtetit të ri dhe theksohet se debati në atë pikë është “urgjent”.
Dokumenti thekson se ka “shumë paqartësi se si do të sillet shteti spanjoll” gjatë asaj që e quan “periudha e tranzicionit”. Autorët e saj pranojnë se, për disa vite, Katalonja do të ketë nevojë për “një shtet tjetër për t’i dhënë mbrojtje përkohësisht”. Dokumenti, i dërguar nga Salvadó në zyrën e Zëvendëspresidencës, gjithashtu vlerëson mundësinë e ngritjes së një shërbimi ushtarak në Kataloni. Por ai përfundon duke hedhur poshtë atë opsion. “Shërbimi i detyrueshëm ushtarak ka një imazh shumë negativ midis katalanasve për shkak të ushtrisë spanjolle”, shkruan “El Pais” duke cituar një pjesë të emaileve të zyrtarit katalanas.
Dokumentet janë prova të mëtejshme se qeveria katalanase po bënte një proces që kishte si qëllimin e vetëm shpalljen e njëanshme të pavarësisë. Ndërkohë, vazhdon beteja për riemërimin e Karles Puxhdemon në drejtim të rajonit të Katalonjës edhe pas shtyerjes së votimit. Kreu i parlamentit rajonal të Barcelonës tha se kandidat i vetëm është ish-lideri Puxhdemon. Ky i fundit gjendet në ekzil në Belgjikë që prej vitit të kaluar. Nëse vendos të rikthehet në Spanjë do të arrestohej menjëherë pasi akuzohet për shpërdorim fondesh dhe rebelim./abcnews.al