Pas tërheqjes së PS për paketën “anti-shpifje”, ku u kërkua mendimi i “Venecias”, nuk ka vonuar reagimi nga Partia Demokratike.
Ish deputetja Albana Vokshi e ka cilësuar si “fitore të fjalës së lirë” . “Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba”, shprehet mes të tjerash Vokshi.
Deklarata e plotë:
Fitoi fjala e lirë
Edi Rama u betua për javë me rradhë që do të votojë në parlament paketën e censurës kundër medias online. Nuk la njeri pa kapur, gur pa lëvizur, por dështoi. U tërhoq sot nga votimit pa i shkuar deri në fund nismës antikushtetuese, kundër të cilës kanë dalë kundër gazetarët, opozita, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE-ja.
Stërbetimet se do të rrëzojnë dekretin e Presidentit që ktheu ligjin antikushtetues, përfunduan si propagandë boshe.
Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba.
Pushteti i Edi Ramës po shkërrmoqet dita ditës. Të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ruajmë liritë tona, lirinë e shprehjes, lirinë e votës, lirinë zgjedhjes.
/abcnews.al