Në historinë e artit shqiptar, disa nga artistët më të mëdhenj të tij i cilësojnë si “mjeshtërit e hershëm”.
Suzana Varvarica Kuka autore e librit “20 mjeshtrit e hershëm shqiptar”, ishte e ftuar ne ABC News në emisionin e mëngjesit ABC-ja e mëngjesit me gazetarin Enkel Demi.
Në bashkëpunim me shtëpinë botuese Media Print, autorja ka zgjedhur të pasqyrojë në këtë libër, veprat e disa prej artistëve dhe stilin e aplikuar në veprat e tyre, duke përzgjedhur veprën më të mirë dhe më të njohur të tyre.
Në këtë libër, fëmijët dhe të rinjtë për herë të parë do të njihen me 20 mjeshtër, që me veprat e tyre filluan t`i jepnin jetë dhe zhvillim atmosferës së arteve figurative të shek. XX në vendin tonë.
Libri është ndërtuar në 20 artikuj të veçantë të mjeshtrave të ndryshëm shqiptarë. Secili prej tyre i përket jetës dhe krijimtarisë së një mjeshtri të vetëm.
Nga krijimtaria e gjerë e çdo mjeshtri është përzgjedhur me kujdes një vepër, për të cilën shpjegohet tema, subjekti dhe ngjyrat e përdorura.
“Jeta ime është e lidhur me Artin dhe ai ka përcaktuar profesionet e mia, të cilat kanë rrjedhur hap pas hapi, bashkë me rritjen time në sferat krijuese dhe studimore në artet pamore. Puna me fëmijët më ka mësuar që të përdorë një fjalor të thjeshtë dhe të kuptueshëm për të gjithë”, tha autorja.
Autorja Suzana Varvarica Kuka ka pasqyruar 20 mjeshtërit shqiptarë të cilët janë:
-Kolë Idromeno – Babai i pikturës realiste shqiptare,
-Spiro Xega – Piktor figurativo-romantik i temës kombëtare,
-Vangjel Zengo – Artist i shquar humanist,
-Andrea Kushi – Piktor realist i portretit dhe mësues i artit,
-Simon Rrota – Piktori realist ijetës shkodrane,
-Vangjush Mio – Piktori i peizazhit realist e impresionist,
-Odhise Paskali – Babai i skulpturës shqiptare,
-Dhimitër Cani – Skulptor portretist realist,
-Abdurrahim Buza – Piktor ekspresiv,
-Llazar Nikolla – Mjeshtër i gdhendjes së gurit,
-Zef Kolombi – Piktor akademik realist,
-Androniqi Zengo Antoniu – Pioniere e pikturës realiste shqiptare,
-Hasan Reçi – Piktor dhe aktor shprehës,
-Janaq Paço – Skulptor i shquar monumentalist,
-Sadik Kaceli – Piktor i poetikës realiste,
-Kristina Koljaka – Skulptorja e parë shqiptare e shekullit XX,
-Sofia Zengo Papadhimitri – Piktore e traditës dhe e portretit realist,
-Nexhmedin Zajmi – Piktor i traditës,
-Bukurosh Sejdini – Piktor i traditës,
-Foto Stamo – Piktor i traditës.
Pjesë nga biseda në studio:
Enkel Demi: Si ja keni dalë për personalitete kaq komplekse, ti përmbledhësh në kaq pak radhë?
Suzana Varvarica Kuka: Duke qenë se kam 30 vjet që merrem me këtë punë, kam selektuar mendimet e mia për të shkuar drejt fëmijëve, kam bërë progrmae të drejtpërdrejta për edukimin, dhe kjo ka bërë që të përdorë një gjuhë më të thjeshtë./abcnews.al