Në qytetin që u shpall me lindshmëri më të ulët në Shqipëri, një familje është shtuar me trenjakë. Ndërsa duhej të gëzohej, kjo familje vrapon çdo ditë, për të mundesuar një ndihmë ekonomike për foshnjat.
Në periferi të Kukësit në zonën industriale, një hapësire nga ish-fabrika e miellit, Qerim Nërguti e ka përshtatur për shtëpi.
Në fakt edhe këtu jeton me qera.
Në Dhjetor, familja e tij u bekua me trinjakë, dy vajza e një djalë.
Së bashku me tre femijët e parë të familjes, ata janë tetë vetë.
Jetesa për Nërgutët është e vështirë.
Aq sa nuk patën as kohë t’u gëzohen ardhjes në jetë të trinjakëve.
Qerimi vrapon çdo dite pas procedurave burakratike për të përfituar nga skema e ndihmës ekonomike. Edhe pse të regjistruar në gjendjen civile, sistemi i Shërbimit Social shtetëror nuk ka përditësuar të dhënat.
Për këtë shkak, i mohohen të paktën nëntë mijë lekë të reja në muaj për Dhjetorin, Janarin dhe Shkurtin.
Një fond jo i pakët, kur aktualisht jetojnë vetëm me 530 lekë në muaj.
Kurse nëna e trinjakëve e ka akoma dhe më të vështirë. Ajo kërkon së paku afrimin e shërbimit shëndetësor.
Një vizitë në shtëpi apo ndihmë të shpejtë për foshnjet, pasi s’ka asnjë mundësi transporti.
Drejtoria e Ndihmës Ekonomike të Bashkisë thotë se po trajtohet me përparësi ky rast, por sistemet e Shërbimit Social Shtetëror kanë krijuar pengesa, jo vetëm për këtë familje.
Vetëm pak ditë më parë, INSTAT e rënditi Kukësin ndër katër qytetet me numrin më të ulët të lindjeve në Shqipëri. Lindja e trinjakeve ishte rasti që shteti të kthente vëmendjen. Por mësohet që për Nërgutet dhe për shumë familje nga viti 2015 nuk është bërë akoma likujdimi prej 5 mijë lekësh nga Gjendja Civile.
Bujar Muçmata, gazetar i ABC News, Kukës