Përdorimi i kafshëve si kavie, “Volkswagen” shkarkon kryemenaxherin

schedule19:14 - 30 Janar, 2018

schedule 19:14 - 30 Janar, 2018

Një ditë pas publikimit të lajmit për përdorimin e kafshëve si kavie për të testuar emetimet e motorëve me dizel, “Volkswagen” ka shkarkuar nga detyra kryemenaxherin e grupit. Krerët e prodhuesit të automjeteve kanë deklaruar se hetimi mbi këtë çështje duhet të shkojë deri në fund.

Gjigandi gjerman i automjeteve “Volkswagen” ka shkarkuar nga detyra kryemenaxherin e tij, një ditë pas publikimit të lajmeve për përdornimin e kafshëve si kavie për të testuar tymin e çliruar nga motorët me dizel.

Kompania bën me dije se Thomas Steg, drejtor për marrëdhëniet me jashtë dhe menaxhimin, do të qëndrojë i pezulluar deri në përfundimin e hetimeve. “Aktualisht jemi në proces hetimi dhe presim të dalin përfundimet. Zoti Steg ka deklaruar se do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë”, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i “Volkswagen Group”, Matthias Mueller. Prodhuesi i automjeteve pranoi të hënën se kishte financuar një studim të vitit 2014, i cili parashikonte përdorimin e kafshëve, kryesisht majmunë, për të testuar nivelin e ndotjes. Testet kishin si qëllim të tregonin se motorët me dizel ishin më të pastër se modelet parardhëse, në përpjekje për të ulur jehonën e skandalit të emetimeve, që më vonë do t’i kushtonte kompanisë dhjetëra miliardë euro. Kafshët e përdorura në eksperimente ekspozoheshin për disa orë ndaj tymit, përpara se të bëheshin subjekt i kontrolleve mjekësore.

Reagimet nuk munguan. Qeveria gjermane u doli në krah grupeve për mbrojtjen e kafshëve, duke dënuar praktikat e kompanisë. “Këto teste janë të pajustifikueshme dhe ngrenë pyetje për ata që fshihen pas tyre”, deklaroi kancelarja Angela Merkel. Edhe Hans Dieter Potsch, kryetar i bordit mbikëqyrës të “Volkswagen” tha se do të bëjë gjithçka që kjo çështje të hetohet deri në fund. “Kushdo qoftë përgjegjës për këtë duhet të dalë para drejtësisë”, tha ai./abcnews.al