Rivjen 24 vite pas vdekjes në qendër të vëmendjes regjisorja e anashkaluar nga sistemi diktatorial Adriana Elini Xhajanka. Arkivi i filmit shfaqi 3 dokumentar realizuar prej saj ne vitet 80.
Drejtorja Iris Elezi vlerëson realizimet që ajo ka bërë me fëmijët duke i shpëtuar skematizmit të kohës.
Një galeri e pasur personazhesh dhe stili i jetës së viteve 80 në qytetet dhe zonat turistike të Shqipërisë nën komunizëm rivjen me projektimin e 3 filmave të regjisores së njohur të filmit dokumentar Adriana Elini.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve, nuk është nostalgjia për kohën, por rileximi me një sy të lirë sipas drejtores së arkivit Iris Elezi.
Megjithë sasinë dhe cilësinë e veprës, emri i Adrianës nuk është aq i njohur sa bashkëkohësit, filmat e saj rrallë shfaqeshin. Regjisori Kristaq Mitro vlerëson poetizmin në krijimtarinë e saj dhe jep edhe arsyen, pse u la në hije.
E bija rrëfen mungesën e pranisë të së ëmës për hir të profesionit, apo edhe momentet kur e merrte në sheshxhirim.
Arkivi i filmit shfaq 3 nga 40 filmat e realizuara nga kineastja Adriana Elini Xhajanka.
Dokumentari i pare, Shtëpitë malore të pushimit (1976) është një vështrim i pushimeve të kaluara mes bukurisë natyrore të fshatit. Megjithëse ideologjinë e kohës , regjisorja arrin të sjell poetizmin e ndaluar për kohën.
“Çdo vijë, një vizatim” (1984) ndjek fëmijët kureshtarë gjatë një klase vizatimi, ndërsa “Fanfara e të vegjëlve” – dokumentari simpatik i vitit 1985, dëshmon punën e një grupi të ri muzikor me vegla tunxhi dhe mësuesin e tyre të durueshëm.
Dokumentarët e Adriana Elinit kapin në celuloid një Shqipëri që prej kohësh nuk është më si në këto filma, përmes planeve të afërta të kamerës që fokusojnë punëtorë dhe fëmijë./abcnews.al