Mbrojtësi i Milanit, Ricardo Rodriguez, më në fund mund të largohet nga kuqezinjtë. Federata Turke e Futbollit ka dhënë lejen për transferimin e anësorit të majtë tek Fenerbahce. Marrëveshja mes klubeve ishte mbyllur që javën e kaluar, por klubi turk duhet të shes një lojtar përpara se të blejë një tjetër për shkak të Financial Fair Play.
Milan e ka konfirmuar dhe në faqen zyrtare të klubit se Federata Turke ka ndezur dritën jeshile për transferimin e zviceranit dhe tashmë ka mbetur vetëm zyrtarizimi dhe prezantimi i Rodriguez me fanellën e Fenerit. Turqit do ti paguajnë 5 milionë € “Djallit” për kartonin e mbrojtësit, përfshirë këtu dhe bonuset.
Nga ana tjetër Milan do të hidhet menjëherë në aksion për ta zëvendësuar vendin e lënë bosh nga Rodriguez. Në mediat italiane ka kohë që flitet për mbrojtësin amerikan, Antonee Robinson, i cili aktualisht aktivizohet tek Wigan Athletic. Robinson shikohet si një alternativë shumë e mirë për Theo Hernandez, i cili po kalon një sezon fantastik. /abcnews.al