Banorët Mallakastrës kanë mbetur pa energji dhe ujë të pijshëm. Vendimin e morën punonjësit e stacionit të pompave të ujit pasi kanë rreth 27 muaj pa marrë pagat. Ata stakuan energjinë në stacion. Ndërsa OSHEE ka reaguar pas këtij akti që e quan të paligjshëm dhe ka bërë kallëzim në organet e drejtësisë për punonjësit që stakuan energjinë.
Ky është një prej punonjësve të stacionit të pompimit të ujit që furnizon Mallakastrën. Pas privatizimit të këtij stacion ai së bashku me 17 punëtorë të tjerë prej më shumë se 2 vjet nuk merr pagën në mënyrë të rregullt dhe në shenjë proteste kanë ndërprerë energjinë dhe për pasojë dhe furnizimin me ujë të banorëve dhe bizneseve të zonës.
“Edhe skllevër të ishim në piramidat e Egjiptit do të na jepnin bukë për të ngrënë.
“Kemi ngelur në kushte të vështira, nuk rezistojmë dot më”, shprehet një protestues
“As siguracionet për pension nuk janë paguar, jam detyruar të braktis punën”, u shpreh një tjetër banor.
Kompania që e ka privatizuar stacionin e pompimit të ujit është ajo që ka dhe rafierinë e Ballshit dhe punonjësit kanë dyshime për seriozitetin e saj.
“Gjatë gjithë kësaj kohe kjo kompani ndryshon emrin një herë në gjashtë muaj. Ne nuk e kemi ndërprerë punën asnjë ditë. Kemi 27 muaj pa lekë”.
Këta punonjës i janë drejtuar dhe kryeministrit Rama por s’kanë marrë zgjidhje.
“Kemi dërguar letër kryeministrit, na ka kthyer përgjigje që do ta marrë përsipër institucioni përkatës, duke thënë se nuk mban përgjegjësi sepse është institucion privat”, thotë një nga banorët.
Por vendimin e tyre për lënë pa ujë e drita banorët e Ballshit Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e quan të paligjshëm dhe ka paditur ata në organet e drejtësisë. /abcnews.al