Ekskluzive: Nga Flamurtari në Serie B, kapërcimi i madh i talentit fierak

schedule21:58 - 23 Janar, 2020

schedule 21:58 - 23 Janar, 2020

Para një dekade Flamurtari “peshkonte” në Fier një emër si Odise Roshi, i cili tek Apolonia nuk gjente hapësirë, por impresionoi drejtuesit e Flamurtarit në një miqësore. Më pas dihet si shkoi karriera e Roshit, i cili prej vitesh është një lojtar kyç edhe në kombëtare. Ndoshta në të ardhmen një histori të ngjashme do të ketë edhe Orjel Murati, një sulmues i talentuar i cili vetëm para pak ditësh ka mbushur 18 vjeç.

Murati shkoi në verën e vitit 2017 në Vlorë, duke u bashkuar me ekipin U17 të Flamurtarit, ku në dy sezone shënoi 17 gola, duke shkëlqyer dhe duke tërhequr vëmendjen e jo pak zbuluesve të talenteve që shohin një minierë ari në Shqipëri, aty ku klubet nuk dinë t’i vlerësojnë dhe ruajnë talentet.

Prokuratori italian Daniele Mura, i cili prej pak vitesh po operon në Shqipëri me agjencinë e tij “DM football management” dhe ka çuar tek Empoli një talent si Kleis Bozhanaj, ka nxituar të bindë familjen e Muratit, duke i garantuar rritjen e duhur në Itali, tek Livorno.

Murati, lojtar me talent të madh, ka impresionuar drejtuesit e Livornos, që tentuan ta regjistrojnë që në verën e vitit të shkuar, por për shkak të moshës së Muratit nuk mundën. Tani që Orjeli ka mbushur 18 vjeç ka ardhur edhe firma, me Muratin që bashkohet me klubin toskan, duke u bërë pjesë e ekipit Primavera, por me mundësinë për t’u stërvitur dhe aktivizuar edhe me ekipin e parë.

Drejtori i Përgjithshëm Elio Signorelli ka pëlqyer forcën, shpejtësinë dhe nuhatjen për gol të sulmuesit të ri fierak, ndaj ka nxituar, duke fituar garën me disa klube të tjera në Itali. Murati shihet si një investim serioz dhe tek Livorno e krahasojnë me lojtarë që tashmë kanë debutuar edhe në Serinë A, si talenti i Torinos Vincenzo Millico. Një hap gjigant për Muratin, tashmë i takon atij të tregojë se ka të ardhme të madhe. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!