Dani Carvajal vijon të jetë një pjesë fikse e formacionit të Real Madrid. Mbrojtësi i djathtë është pjesë e “Los Blancos” prej vitit 2013, teksa ka zbuluar për revistën GQ Spain momentin më të vështirë të përjetuar në ekipin spanjoll. Ishte 24 maji i vitit 2014 dhe Reali përballej me Atletico Madrid në Lisbonë për trofeun e Champions League.
Ekipi i Simeones ishte pak sekonda larg fitores falë realizimit të Diego Godin, por goli i Sergio Ramos me kokë në minutën e 93-të barazoi ndeshjen, ndërsa në shtesë nuk pati më histori. Reali i Ancelottit shënoi edhe tre gola të tjerë, fitoi 4-1 dhe dërgoi kupën me veshë për herë të dhjetë në Madrid.
PANIKU – “Vetëm një herë kam pasur frikë ndërsa luaja, në finalen e Champions League që luhej në Lisbonë kundër Atletico Madrid. E dalloja që po e humbnim ndeshjen dhe rivalët tanë të qytetit po bëheshin kampionë”.
FORMA – “Po përjetoj një nga momentet më të mira në karrierë. Falë besimit të trajnerit dhe shokëve të skuadrës, po luaj me inteligjencë dhe po shfrytëzoj eksperiencën që kam krijuar. Ndodhem në klubin më të madh në botë dhe nuk është e lehtë të jesh pjesë e Realit për kaq shumë vite.
Jo të gjithë e përballojnë presionin e të luajturit te Reali. Tifozët janë shumë kërkues, mjafton një pasim i gabuar për të dëgjuar pakënaqësitë e tifozëve”, përfundon Dani Carvajal. /abcnews.al