Gazetari Artan Hoxha ka dalë përpara pak minutash nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku ka dhënë deklarimet e tij, në lidhje me videon e publikuar ditën e djeshme, ku shihej kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, teksa merrte kokainë.
Pasi ka përfunduar procedura e marrjes në pyetje nga prokurorët e SPAK, Artan Hoxha ka folur përpara mediave, se çfarë kishte deklaruar pranë SPAK.
Hoxha tha se deklaroi përpara prokurorëve, se si e kishte siguruar videon, dhe shpjegime të tjera rreth saj.
Më tej Hoxha tha se kemi vite që në media, përfliten zyrtarë të lartë, që marrin vendime për shqiptarët, dhe konsumojnë lëndë narkotike.
Hoxha theksoi përpara mediave, se është i gatshëm për çdo rast, të paraqitet dhe të japë informacionet që ka pranë SPAK.
“I dorëzova materialin filmik prokurorisë. Dhashë shpjegimet e mia për videon. Pres që SPAK të jetë në pritshmërinë e shqiptarëve. Kjo nuk është politike. Nuk më lidhin dot mua me Babale1 apo Babale 2. Unë nuk kam asnjë problem me personin si individ, por me fenomenin. Nuk besoj që ndonjë shqiptar beson se unë dhe Sali Berisha kemi bashkëpunime. Jam i gatshëm për çdo nevojë që do të ketë SPAK, të ndihmoj me informacionin që kam. Nuk vendos unë nëse ka vepër penale por institucionet e drejtësisë. Kemi disa vite që artikulojmë në media, që kemi drejtues të niveleve të larta, që marrim vendime për shqiptarët, nën efektin e lëndëve narkotike. Detyra jonë është të informojmë publikun dhe të jemi syri e veshi për publikun”, tha Hoxha.
Ndërkohë që në ambientet e SPAK është duke dhënë shpjegimet e tij që prej orës 17.00 dhe kryebashkiaku Lefter Alla./abcnews.al