Artan Hoxha pas videos së Allës: Më sollën zarfin me plumb, por më mbron e vërteta

schedule18:13 - 22 Janar, 2020

schedule 18:13 - 22 Janar, 2020

Ditën e sotme në ABC News gazetari investigativ Artan Hoxha ka publikuar një video në të cilën shihet kryebashkiaku i Bulqizës teksa merr lëndë narkotike të llojit kokainë.

Gjatë bisedës në studio me Endri Xhafon, gazetari Hoxha, tregoi peripecitë dhe vështirësitë në punën e tij por edhe të gazetarëve të tjerë.

https://youtu.be/z948vKHtirY

Hoxha tha se është kërcënuar shumë herë me jetë, ai dhe familja e tij, madje i është ofruar edhe mbrojtje nga autoritetet, por gazetari nuk e ka pranuar.

Hoxha theksoi se e mbron puna dhe e vërteta, për faktet të cilat publikon.

Pjesë nga biseda në studio:

Endri Xhafo: A keni nevojë për mbrojtje ju si gazetar Artan Hoxha?

Artan Hoxha: Qëndrimet e mia i kam publike, shpesh herë më është ofruar mbrojtje të them të drejtën, nga agjencitë që kanë detyra këtu, përfshirë edhe njësi jashtë shtetit për mbrojtje të posaçme.

Videon e kaluar që kam publikuar përpara rreth 4 muajve, kam kontaktuar me drejtues të policisë, dhe u kam thënë që unë nuk mendoj se duhet të harxhoni trupa, dhe energji, që të  më mbroni mua, apo familjarët të mi.

Mua më mbron puna ime dhe e vërteta ime. Unë mendoj që këto trupa të përdoren për luftën kundër krimit, për të ofruar rend dhe qetësi publike, qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Mund të kisha zgjedhur qetësinë, të kisha pranuar të mirat materiale dhe kaq. Prandaj e drejtoj gishtin dhe bëj sot apel, që të ruhet, që drejtoritë e qarqeve sot të bëjnë kujdes, që persona që kanë ndërmend, dhe kanë kërcënuar, të mos e bëjnë, sepse nuk i fshihen dot të vërtetës, dhe nuk i shpëtojnë dot opinionit publik, dhe se nuk e zgjidhin dot me kërcënim.

Ne gazetarët jemi shumë të rrezikuar, por na mbron e vërteta, madje kemi raste që nuk janë zbuluar autorët. Ne e kemi parë çfarë i bën Elvi Fundos, e masakruan.

A i dimë ne autorët e Elvi Fundos?

Jo, Elvi Fundo ka ikur fare nga Shqipëria madje. Pra dua të them që gazetarët janë në rrezik, dhe sa herë që ata përballen me abuzimet e pushtetit, me abuzimet dhe aktivitetet kriminale të botës së errët të krimit.

Nuk të falin ata, janë njerëz që kanë shpenzuar për fushatën elektorale, që kanë bërë plane që në këto 4 vjet në buxhetin e asaj Bashkie do të bëjnë aq punime publike, dhe do marrin x të ardhura, dhe kur shohin papritur se i vjen dikush nga rruga, pra ne gazetarët, dhe i ndërpret të gjithë planet e mëdha që janë bërë, çfarë reagimi pritet?

Do jepet dorëheqja? JO, përkundrazi do sulen dhe do punojnë që të masakrojnë atë që u ka prishur punë, po ju sjell vetëm një rast.

Pasi kam nxjerrë videon e 21 janarit, përveçse më sollën zarfin me plumb në shtëpi, për 6 muaj unë nuk hipja në ashensorin e shtëpisë, po ngjitesha me shkallë.

Mbase mund të mos kisha asnjë rrezik, por unë kujdesesha, jam vënë shumë herë në “tabelë qitje”. Megjithatë unë mendoj se një gazetar, sa herë publikon fakte të pakundërshtueshme, i qëndron të vërtetës, pavarësisht se kë ka përballë, Kryeministrin, Presidentin, Shefin e opozitës apo bosë të krimit, ai është më i mbrojtur, se sa kur i di, dhe nuk i publikon faktet.

Pra për të qenë më i qartë, do thoja se do ndihesha më i rrezikuar, nëse këtë fakt sot, nuk do e publikoja, por edhe nëse nuk do e publikoja unë, do e publikonte opozita./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!