Partizani pa katër titullarë, Sormanit i shtohen “dhimbjet e kokës”

schedule09:45 - 22 Janar, 2020

schedule 09:45 - 22 Janar, 2020

Kritikat për Partizanin, pas humbjes me Skënderbeun, kanë qenë të shumta. Tifozët kanë vërshuar në rrjetet sociale dhe kanë lënë komente nga më të ndryshmet. Trajneri dhe lojtarët kanë qenë në shënjestër.

Kjo situatë e shton edhe më shumë presionin në kampin e kuq. Tifozët kërkojnë sërish titullin kampion dhe nuk do të jetë aspak e lehtë, nisur nga luhatjet që Partizani ka treguar në këtë sezon futbollistik.

Ndeshja e radhës është ajo kundër Kukësit dhe në kampin e kuq e kanë detyrim të paktën të mos humbasin. Fitorja në fakt do të ishte autokritika e duhur dhe mundësi e mirë për të mos e lënë skuadrën verilindore të shkëputet.

Nuk do të jetë e lehtë, sidomos kur bën llogaritë dhe mendon se trajneri Sormani nuk do të ketë në dispozicion dy titullarë të mesfushës. Rron Broja u ndëshkua me karton të kuq dhe duhet të shlyejë pezullimin, ndërkohë që edhe Bruno Telushi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Dy mungesa të rëndësishme në mesfushën e Partizanit, ndërkohë që këtë javë nuk mund të luajnë sërish edhe Deian Boldor e William Cordeiro, të dënuar me pesë ndeshje nga Komisioni i Disiplinës pas përplasjeve që patën me lojtarët e Teutës në muajin dhjetor. Ata kanë shlyer dy prej ndeshjeve dhe ende nuk mund ta shlyejnë me gjobë pezullimin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!