Adolfo Sormani debutoi me humbje në stolin e Partizanit. Trajneri italian analizoi ndeshjen në deklaratën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku flet për paraqitjen e ekipit, debutimin e Feratit dhe rivalitetin e madh në Superiore.
NDESHJA – “Besoj se luajtëm mirë gjatë gjithë ndeshjes, jo vetëm 40 minuta. Nëse realizonim penalltinë e dytë, mund ta fitonim ndeshjen. Jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, por rezultati nuk e tregon këtë. Skuadra më ka pëlqyer gjithsesi”.
MERKATO – “Mendoj të stërvit lojtarët që janë. Nuk është momenti për merkato, por të flasim për ndeshjen, për zemrën që djemtë vunë në fushë, për rastet që humbëm dhe për atë që mund të bëjmë më mirë”.
ARBITRI – “Nuk flas për arbitrin. Mund të tregoni çdo episod, por nuk do ankohem kurrë për gjykimin”.
LOJTARËT E RINJ – “Komplimente Feratit, bëri një ndeshje të mirë si debutues. U konsumua dhe vendosa të fus Romeron. Në pjesën e parë duhet të kishim mbyllur ndeshjen me rastet që patëm. Duhet të ishim më cinikë dhe më pas duhet të mendonim për ekuilibrin e ekipit”.
SUPERIORJA – “Kampionatin e tregon renditja, është shumë i ekuilibruar. Nuk e meritonim humbjen, luajtëm mirë dhe meritonim më shumë. Ndeshjet janë të gjitha të ekuilibruara, kjo është pjesë e futbollit modern. Duhet të jesh konstant dhe të jesh i përqendruar gjatë gjithë 90 minutave për të fituar”. /acbnews.al