Merkato, rivalët, titulli kampion: Duro i thotë të gjitha në Pressing

schedule23:10 - 20 Janar, 2020

schedule 23:10 - 20 Janar, 2020

Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro, ka bërë një lidhje direkte me emisionin “Pressing”, aty ku ka folur për shumë tema rreth ekipit të tij.

KAMPIONATI – “Ky kampionat është shumë i ekuilibruar, shumë i paparashikueshëm. Ne jemi në situatë komode në aspektin e kualifikimit, por është gjysma e kampionatit. E mendojmë edhe më të vështirë gjysmën e dytë. Skuadra ka bërë mirë, por ka pasur oshilacione si të gjitha skuadrat e tjera”.

MERKATO – “Normalisht, unë nuk kam qenë ndonjëherë “partizan” i merkatos së janarit, pasi për shumë faktorë, është e kushtëzuar. Një nga faktorët kryesorë që nuk kam ndërhyrë, është se skuadra është e plotë dhe nuk e kam pasur të nevojshme. Doja që të vinte ndonjë futbollist që bën diferencën, ndryshe nuk ia vlen. Janë larguar dy futbollistë, Daku dhe Kitanovski, dhe deri në momentin e fundit, do të shohim për t’i zëvendësuar. Është afruar pas një dëmtimi të gjatë Krasniqi, që rrit konkurrencën në repartin e mbrojtjes”.

KUKËSI – “Nuk mund të them që Kukësi bën diferencën në këtë kampionat. Nuk ma lejon pozicioni, pasi është një garë e gjatë. Duhen respektuar të gjithë kundërshtarët, ka shumë kundërshtarë seriozë, siç janë Partizani, Tirana, por nuk dua të veçoj dhe skuadrat e tjera që po bëjnë shumë mirë, si Bylisi, Teuta apo Laçi. Është meritë e jona që jemi kampionë dimri, kjo është meritë e të gjithë strukturave të klubit, por e thashë se është gjysma e kampionatit dhe do të jetë edhe më e vështirë gjysma e dytë”.

Trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro

GRUPI – “Tregues teknikë nuk të japin të drejtë ta bësh këtë pyetje, pasi Kukësi është një skuadër shumë e ekuilibruar. Është në dy skuadrat e para që ka shënuar më shumë gola, dhe është në dy skuadrat më të mira që kanë pësuar më pak gola. Gjysmën e golave e kemi pësuar me penallti. Në treguesit teknikë, jemi shumë mirë në të dy aspektet.

GAVAZAJ & ABAZAJ – “Ka shumë futbollistë si Abazaj dhe Gavazaj, që kanë qenë ardhjet më cilësore të merkatos së verës. Abazaj është aktivizuar në javën e katërt të kampionatit. Një futbollist jashtëzakonisht cilësor, por mungesa e fazës përgatitore kishte ndikimin e vet. Duket qartë se në 5-6 javët e fundit, në saj të profesionalizmit, ka arritur formë shumë të mirë. E njëjta situatë edhe me Gavazajn.

ALTERNATIVAT – “Përveç Shkurtajt, ka qenë nga java 5, 6, 7, që kemi pasur 7 mungesa. Kanë ndikuar në disa rezultate negative këto mungesa. Shkurtaj është ndër më të mirët në Shqipëri, golashënuesi më i mirë. Shpresoj të mos dëmtohet. Ka cilësi shumë të mira dhe e ka dëshmuar. Daku është larguar, djalë i ri, shumë i mirë. Por ai ka ardhur në huazim dhe donte minuta më shumë. Në mungesë të Shkurtajt, kam provuar Abazajn në qendër të sulmit. Unë kam mendimin se e bën shumë mirë edhe atë pozicion. Ndërsa Kitanovski luante në shumë pozicione, por Maliqi është një lojtar cilësor në krahun e djathtë të mbrojtjes”.

STADIUMI – “Nuk doja ta prekja këtë temë, por e dini shumë mirë sa minus i madh është të mos luash në fushën tënde. Kjo është meritë e Kukësit. Unë e mbaj mend që edhe Partizani ka luajtur para ca sezonesh në fushë asnjanëse. Por Partizani ka qenë i shoqëruar nga 700 deri në 1000 tifozë dhe nuk e ka ndjerë mungesën e tifozëve. Ne kur luajmë në Elbasan, nuk e kemi përkrahjen e tifozëve. Dua të komplimentoj çunat dhe skuadrën që kanë bërë maksimumin”.

TITULLI – “Nuk është fundi edhe po dolëm në vend të katërt. Është futboll, është garë, duhet respektuar garë. Çdo president i ekipeve kryesore futet për të fituar titullin. Kukësi ka luftuar për të dyja trofetë në sezonet e fundit. Unë e kam pasur të qartë që në fillim, duhen trofe te Kukësi. Kam bërë punën time profesionale bashkë me stafin tim, bashkë me futbollistët. Kemi pasur marrëdhënie të mira me drejtuesit e klubit, kur kemi pasur probleme, kam ditur t’i menaxhoj mirë. Të shohim në të ardhmen. Nuk kam asnjë lloj presioni, futbolli i tillë është”.

RIVALËT – “Partizani apo Tirana? Nuk dua të bëj diferencime. Patjetër që klasifikimi nuk ma lejon të bëj diferencime. Duhet respektuar Partizani si skuadër kampione në fuqi dhe të gjitha skuadrat që kanë të drejtën të luftojnë për titullin kampion. Nuk ia heqim dot të drejtën as Bylisit, as Tiranës, as Laçit”.

LUFTËTARI – “E përshëndes zotin Artur dhe besoj do të takohemi pasnesër në ndeshje. Absolutisht që nuk ka asnjë lloj nënvlerësimi, përkundrazi, skuadra është karikuar që në Antalya. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duhet respektuar në maksimum Luftëtarin. Të mos harrojmë që para ca javësh, fituam edhe me Skënderbeun. Pavarësisht pozicionit, Skënderbeu ka futbollistë shumë cilësorë. Ndeshjen me Luftëtarin e vlerësojmë në maksimum”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!