Në vetëm 16 muaj në gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Dytë në Shqipëri janë regjistruar plot 6307 çështje të dhunës në familje. Të dhënat tronditëse janë zbuluar nga një raport i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. ABC News ka siguruar procesverbalin e mbledhjes ku janë prezantuar të dhënat e inspektimit të kryer në gjykatat e vendit për gjykimin e dhunës në familje.
Një inspektim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi proceset gjyqësore me objekt dhunën në familje në gjykatat e vendit ka zbuluar të dhëna tronditëse. Sipas raportit të paraqitur në mbledhjen 18 Janarit 2018 të këtij këshilli, në vetëm 16 muaj gjykatat shqiptare të Shkallës së Parë dhe Apelit kanë regjistruar plot 6307 çështje kundër personave të akuzuar për dhunimin e familjarëve.
ABC News ka siguruar procesverbalin e mbledhjes, ku dalin në dritë edhe të dhëna të tjera të raportit të inspektimit të të shtrirë në harkun kohor Janar 2016 – Prill 2017.
Gjatë prezantimit të raportit kryeinspektorja e KLD-së, Marsida Xhaferrlari, ka cilësuar si shqetësues rritjen shume të ndjeshme e volumit të këtyre çështjeve. Shifra prej 6307 çështjesh duket edhe më problematike, kur e krahason me vitin 2014 kur ishin vetëm 2689 çështje gjyqësore për këtë lloj dhune.
Nga ana tjetër, është vënë re edhe një rritje e numrit të ankimeve ndaj vendimeve gjyqësore, plot 1128 të tillë.
“Në inspektimin tematik të vitit 2014, kujtojmë që kjo ishte një çështje sensitive, pasi konstatohej që palët nuk ankimonin vendimet e dhëna
nga gjykatat më të ulëta. Ne kjo na çon në konkluzionin që është rritur aksesi i viktimave në sistemin gjyqësor”.
Inspektimi ka konstatuar se në 283 raste gjykata ka refuzuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje, 42 nga të cilat vetëm në Gjykatën e Elbasanit.
Por jo të gjitha çështjet finalizohen me dënimin e të akuzuarit. Raporti evidentonte si problematik faktin që në 1245 raste gjykimi i çështjeve të dhunës në familje është pushuar. Shkaqet janë të ndryshme, por ajo që vlerësohet si shqetësuese nga KLD është pushimi i çështjeve për shkak të normalizimit të marrëdhënieve midis të dëmtuarit dhe dhunuesit në familje.
Në përfundim, KLD sugjeron i sugjeron strukturave përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë të analizojnë të dhënat e raportit për të
identifikuar çështjet që lidhen me përmirësimin e kuadrit ligjor të nevojshëm./abcnews.al