Prej vitesh, rruga që lidh qytetin e Vlorës me fshatin turistik të Zvërnecit si dhe me portin e dytë, është jashtë çdo standardi. Edhe pse bëhet fjalë për vetëm 2 km rrugë, Bashkia e Vlorës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk kanë gjetur dakordësi për rehabilitimin e saj.
Bëhet fjalë vetëm për rreth 2 km rrugë e cila lidh qytetin e Vlorës me fshatin turistik të Zvërnecit, me njësinë administrative të Nartës si dhe me portin e dytë të Vlorës (Triportin).
Investimi i bërë disa vite më parë ka prekur vetëm një pjesë të këtij segmenti rrugor.
Sipas banorëve të zonës, në këtë segment rrugor nuk është investuar tashmë prej vitesh. Arsyeja pse është lënë në këtë gjendje është mungesa e vëmendjes së pushtetit vendor, për një zonë me probleme ndër vite. Gjatë verës ky është një nga segmentet më me shumë qarkullim për shkak të lëvizjes drejt Zvërnecit apo plazhit, por infrastruktura e dobët mbetet një shqetësim për banorët dhe drejtues të automjeteve.
“Këtu kalojnë shumë makina, kjo rrugë është problem, sidomos gjatë verës”, thotë një prej banorëve.
Ndërsa një tjetër qytetar shprehet se kjo rrugë është problem jo vetëm për banorët, por edhe për bizneset edhe pse tregon se iu është premtuar se rruga do të rregullohet.
“Problem është jo vetëm për njerëzit që shkojnë në ambientet e plazhit, por edhe për njerëzit që kanë biznese”, shprehet ai.
Sipas Drejtorisë së Urbanistikë në Bashkinë e Vlorës kjo rrugë është në përgjegjësinë e dy institucioneve, Bashkisë së Vlorës si dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar. Për rehabilitimin e këtij segment rrugor duhet gjetur gjuha e përbashkët midis këtyre dy insitucioneve dhe konfirmohet se mungon fondi i posacëm për rehabilitimin e saj. Mësohet se në buxhetin e këtij viti është përcaktuar një fond i posacëm për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve problematike, por nuk janë cilësuar emrat. Ndaj dhe për fatin e 2 kilometarve për rrugën e plazhit të vjetër nuk dihet asgjë./abcnews.al