Napoli ndodhet në krizë totale. Ekipi i Gattusos regjistroi humbjen e radhës mbrëmjen e kaluar kundër Fiorentinës, që fitoi 0-2 në “San Paolo”. Lojë e dobët, mungesë rezultatesh dhe vetëm 24 pikë në 20 ndeshje për vendasit.
Vendi i 12-të në kampionat dhe situatë shumë e keqe. Kualiteti në ekip nuk mungon, por Napoli po luan pa identitet dhe grintë. Trajneri nuk fshihet, flet troç në deklaratën e dhënë pas ndeshjes dhe i kërkon falje tifozëve dhe gjithë qytetit.
“Ishte një paraqitje turpëruese, jemi një skuadër pa shpirt dhe e sëmurë. Po prekim fundin dhe duhet të kuptojmë se në çfarë drejtimi po shkojmë. Duhet t’u kërkojmë falje tifozëve dhe qytetit. Kemi luajtur më mirë në ndeshjet e fundit, kundër Fiorentinës nuk shiheshim me sy.
Kemi shumë lojtarë të aftë, por nuk po arrijmë të krijojmë lojë. Më pëlqejnë sfida te vështira, e dija se do të ishte kështu. Unë dhe stafi im duhet të zgjidhim këtë situatë. Po rrezikojmë shumë, po luajmë me zjarrin. Skuadra ka vendosur vetë të shkojë në grumbullim, nuk mund të nënvlerësojmë asgjë“, thekson Gennaro Gattuso. /abcnews.al