Amir Rrahmani do të kalojë te skuadra e Napolit në verë. Qendërmbrojtësi, pas gjashtë muajsh në Serie A ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, por ka qenë klubi i financuar nga Aurelio Di Laurentiis ai që ka bërë ofertën e duhur dhe e ka bërë tijin futbollistin dardan.
Paraditen e sotme ai ka kryer vizitat mjekësore dhe i ka kaluar me sukses, ndërkohë që mediat italiane njoftojnë se tashmë ka ardhur edhe firma në kontratë. Përfitime të mëdha për lojtarin, si dhe për klubin e Hellas Verona, që në verë shpenzoi 2 milion euro për kartonin e tij.
Verdheblutë përfitojnë 14 milion euro nga shitja e Rrahmanit, i cili me Napolin ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025. Këto 6 muaj ai do të jetë pjesë e Hellas Verona në huazim, ndërkohë që te Napoli rroga i bëhet 1.8 milion euro në sezon. /abcnews.al