Gjatë paradites së sotme një operacion antidroge krye falë bashkëpunimit të policive ndërkombëtare të shtetit italian, shqiptar dhe Gjerman. Mediat italiane raportuan se nga ky operacion ishin arrestuar 22 persona mes tyre dhe shqiptarë.
Ndërkohë detajet e para për këtë operacion ka dhënë edhe policia shqiptare. Sipas policisë, operacioni i quajtur “Brokers” ka një shtrirje kohore prej 4 vitesh.
Po ashtu policia thotë se nga ky operacion u godit një organizatë kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe armëve në Itali.
Si koka e kësaj organizate kriminale që kontrollonte dhe organizonte trafikun e drogës ishte një shtetas shqiptar.
Nga ky operacion mëngjesin e sotëm u arrestuan edhe 3 shqiptarë:
Emrat e shqiptarëve të arrestuar nga operacioni i sotëm:
-Denis Bimi, 30 vjeç.
-Besmir Sylja, 26 vjeç.
-Luan Delaj, 50 vjeç.
Organizata furnizonte grupet italiane me kokainë, heroinë, hashash dhe marijuanë.
Njoftimi i policisë së shtetit:
“Policia e Shtetit
Tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, zhvilluar mes Policisë italiane dhe Policisë shqiptare.
Operacioni “BROKERS” u zhvillua për goditjen e një organizate kriminale në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, marijuanë, heroinë e kokainë, si dhe të armëve e municioneve luftarake.
Operacion me shtrirje kohore prej 4 vitesh dhe u finalizua mëngjesin e sotëm në Itali dhe Shqipëri.
Më datë 17.01.2020 u zhvillua operacioni i përbashkët policor “BROKERS” midis Policisë italiane dhe Policisë shqiptare, si rezultat i të cilit u arrestua në qytetin e Shkodrës shtetasi L. D., 50 vjeç, banues në Shkodër.
Operacioni në Shqipëri u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale, ZQK Interpol Tirana dhe UCI Albania.
Ndërsa në Itali u drejtua nga Skuadra Operacionale e Seksionit kundër Drogës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë së qytetit të Tranit.
Si rezultat i këtij operacioni u godit një organizatë kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, në zonën e qyteteve të Andrias dhe Cerignolas.
Hetimet për këtë operacion kishin filluar pas vrasjes së shtetasit italian F. F., në qytetin Trani, në janar të vitit 2015.
Personi që kontrollonte dhe organizonte trafikun e drogës nga Holanda, Gjermania dhe Shqipëria ishte një shtetas shqiptar, i cili nëpërmjet njohjeve të tij i siguronte organizatës kokainë, heroinë dhe hashash. Sasia e drogës vinte me anë të korrierëve që zakonisht e fshihnin në ndarjet e dyfishta në makina.
Kjo organizatë e kishte qendrën në qytetin e Foggias. Si rezultat i hetimeve të përbashkëta mes Policisë italiane dhe Policisë se Shtetit u arrit që të arrestoheshin 20 persona dhe të sekuestroheshin 440 kg droga të ndryshme si kokainë, heroinë dhe hashash, si dhe disa armë zjarri.
Policia e Shtetit, si në të gjitha operacionet e zhvilluara më parë, edhe kësaj here tregoi profesionalizëm dhe besueshmëri të lartë te Policia italiane gjatë gjithë fazave të operacionit.
Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të bashkëpunuar me profesionalizëm me Policitë partnere dhe gjithë organizatat ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin”./abcnews.al