Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, është i bindur për shanset e ekipit të tij për të luftuar për titullin. Italiani u shpreh i kënaqur me përgatitjet në Turqi, në një intervistë për emisionin “Presing” në Abc News.
Nuk është më përpara një të panjohure. Adolfo Sormani tashmë ka dy javë që punon me Partizanin, më së shumti në Antalia të Turqisë, dhe trajneri italian është shumë më i qartë për atë që e pret, dhe për çfarë kërkon.
Njeriu i stolit të të kuqve pati gatishmërinë që të fliste për Abc News dhe saktësisht për emisionin “Presing”. Pra, si i duket Partizani që ka në dorë? “Kam gjetur një grup shumë të motivuar, të gjithë lojtarët kanë një dëshirë të madhe. Kam fatin të drejtoj një skuadër të tillë. Këtu ka shumë tension dhe konkurrencë.
Mendoj para së gjithash se në një ambient si i Partizanit, ku lojtarët, stafi teknik dhe tifozët janë krijuar si një bllok i vetëm për të kontribuar që kjo skuadër të shpallet kampione, kjo është gjëja më përcaktuese dhe një motivim shtesë për të vazhduar një rrugëtim pozitiv.
Unë mund të garantoj që Partizani do të luftojë për të fituar titullin kampion deri në fund. Të gjithë lojtarët janë të motivuar. Këtu ka futbollistë që kanë nevojë për besim dhe mundësi për të luajtur. Futbolli është i çuditshëm dhe ndonjëherë një lojtar mund të ndryshojë fatin e të gjithë skuadrës”, është shprehur Sormani. /abcnews.al