Filippo Inzaghi po bën një punë të shkëlqyer me Beneventon, që kryeson Serie B me diferencë prej 12 pikësh nga vendi i dytë. Rikthimi në elitë është shumë afër, teksa trajneri italian nuk e harron kurrë Milanin. Superpipo është shumë i lidhur me ngjyrat kuqezi dhe mbetet një idhull i popullit milanist.
46-vjeçari analizon ndryshimet e fundit në ekipin e Piolit në një prononcim për Corriere della Sera. Nuk mungon një koment për Zlatan Ibrahimovic, teksa Inzaghi e mbyll me një premtim për Beneventon.
KUQEZINJTË – “Milan po kalon një periudhë të keqe, por kjo nuk është më risi. Gjithsesi, e njoh mirë Maldinin dhe kam besim të madh tek ai. Jam i sigurt që Paolo dhe Boban do ta nxjerrin klubin nga kriza. Duhet durim dhe nga 2-3 përforcime çdo vit. Vazhdueshmëria është gjëja thelbësore në menaxhim”.
IBRAHIMOVIC – “Milani bëri mirë që e mori Ibrën. Kam luajtur me të, e respektoj shumë. Zlatan nuk ka nevojë për para dhe lavdi, me rikthimin tregoi se dëshiron të lërë ende gjurmë. E ka treguar këtë që në ndeshjet e para”.
E ARDHMJA – “Shoh vetëm Beneventon. Më kërkuan edhe në vitin 2017, kisha shumë oferta, por në fund zgjodha Bolognën. Drejtori sportiv më kërkoi sërish 6 muaj më parë, edhe pse gjërat ishin përkeqësuar për mua. Treguan respekt ndaj meje. Më donin të gjithë kur nuk më donte më askush. Nuk mund ta harroj këtë gjë”. /abcnews.al