Një ditë pas esktradimit në Itali të Nezar Seitit, një nga pjestaret e bandës së Habilajve, Prokuroria e Pëgjithshme ka nisur verifikimet për procedurat e ndjekura nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Krimeve të Rënda, për këtë rast ekstradimi.
Ndaj Nezar Setitit ekziston një masë sigurimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda në arrest me burg për trafik droge. Ndërsa njëkohësisht ishte i kërkuar edhe nga Prokuroria e Cattanias si pjesë e grupit të trafikut të drogës që kryesohej nga Moisi Habilaj. Gjykata e Tiranës kishte vendosur për ekstradimin e Seitit në dhjetor të vitit të shkuar. Por edhe pse ai është nën hetim nga drejtësia shqiptare për të njëjtën akuzë, në mënyrë krejt të papritur ministria e Drejtësisë dha leje për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.
Përmes një njoftimi për shtyp të shpërndarë mbrëmë për median, Ministria e Drejtësisë, këmbënguli se në rastin në fjalë janë ndjekur me përpikmëri të gjitha procedurat e parashikuara në ligj dhe Konventës Europiane të Ekstradimit. Ministria theksonte se kishte miratuar ekstradimin, pasi nuk kishte patur asnjë informacion apo akt tjetër procedurial nga Prokuroria e Përgjithshme si dhe nga gjykata për ekzistencën e ndonjë pengese të mundshme ligjore për ekstradimin e Seitit. /abcnews.al