Kalaja e Dodës e kalueshme pa zinxhirë, borëpastrueset çdo 1 orë në terren

schedule14:36 - 13 Janar, 2020

schedule 14:36 - 13 Janar, 2020

Edhe pse është një nga pikat më të rrezikshme gjatë periudhës së dimrit, rruga për në kalanë e Dodës në Peshkopi është e kalueshme pa probleme.

Gjatë gjithë ditës borëpastrueset janë në terren për të bërë kriposjen e aksit në mënyrë që bora të mos ngrijë.

Përgjegjësi për mirëmbajtjen e rrugëve për zonën e Dibrës, Ramazan Doda tregon në pikat e cilësuara si më të rrezikshme gjatë periudhës së dimrit vëmendja është më madhe. Ai shpjegon se në këtë zonë pastrimi dhe kriposja është më e shpeshtë.

“Nëse rri më shumë se sa 2 orë kjo bllokohet si rrugë. Kur ka erëra të forta. Këtë duhet ta pastrosh çdo një orë, sepse kjo bllokohet si rrugë. Kjo rrugë ka tre vende që janë pika të rrezikshme. Është këtu brenda kalasë, është Sllobva dhe Shumbati”.

Ai u bën thirrje shoferëve të jenë të kujdesshëm kur lëvizin dhe të mbajnë gjithmonë me vete zinxhirët.

“Të kenë vëmendjen tek rruga. Të mos ecin me goma verore, por me dimërorë. Të kenë zinxhirët. Pasi ka vende që duhen edhe zinxhirët. Ka raste që në moment ngrin rruga dhe duhen zinxhirë. Por shoferët duhet të jenë të vëmendshëm. Ne nuk e leme pa kriposur. Por edhe kripa nëse ka pak temperaturë nuk shkrihet”.

Shoferët tregojnë se nuk kanë patur asnjë problem gjatë lëvizjes në këtë zonë.

Ndërkohë akset kombëtare janë të kalueshme pa probleme, ndërsa në rrugët rurale kalimi bëhet vetëm me zinxhirë./abcnews.al