Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë urimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë.
Në mesazhin e publikuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, Rubio thekson marrëdhëniet e forta mes Shqipërisë dhe SHBA-së, të ndërtuara mbi sigurinë e përbashkët, begatinë ekonomike dhe lidhjet mes dy popujve.
Ai shprehet se Uashingtoni mirëpret forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Shqipërinë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme.
Në mesazhin e tij, Sekretari amerikan i Shtetit nënvizon gjithashtu rëndësinë e partneritetit në luftën kundër grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës dhe kërcënimeve në hapësirën kibernetike.
“Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt”, thekson Rubio.
Në përfundim të mesazhit, ai shpreh dëshirën për thellimin e mëtejshëm të të gjitha fushave të bashkëpunimit, në dobi të të dy vendeve.


