Vlora ka nisur të vishet me ngjyrat e festës në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë. Rrugët e qytetit janë gjallëruar nga muzika dhe vallet tradicionale, ku grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare kanë dhuruar një spektakël të veçantë për qytetarët dhe vizitorët.
Pjesëmarrës në Festivalin Mbarëkombëtar të Valles Folklorike, artistët kanë performuar në rrugët e Vlorës, duke sjellë traditat, kostumet popullore dhe ritmet karakteristike të krahinave të ndryshme shqiptare. Edhe pse moti nuk ka qenë i favorshëm, kjo nuk i ka ndalur valltarët të vijojnë performancat dhe të përcjellin atmosferën festive.
Në prag të festës kombëtare, Vlora kthehet kështu në një pikë takimi për shqiptarët nga të gjitha trevat, duke sjellë në një qytet traditën, kulturën dhe krenarinë kombëtare. Përmes muzikës dhe valles, festa e 28 Nëntorit ka nisur të ndihet në çdo rrugë të qytetit bregdetar, i cili synon të jetë epiqendra e festimeve mbarëkombëtare.


