Tirana kthehet te fitorja në Kategorinë Superiore, duke bërë një kapërcim të madh edhe në tabelën e klasifikimit.
Bardheblutë e kryeqytetit mundën 3-2 Skënderbeun në një sfidë të bukur dhe me shumë raste përe shënim nga të dyja skuadrat.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 27-të me autogolin e Lagonidis. Pa fat mbrojtësi grek, por ashtu si skuadra e tij nuk kishte kohë të reagonte.
Vetëm një minutë më pas, Tirana dyfishoi shifrat me Dacin, pas një aksioni shumë të shpejtë.
Bardheblutë nuk u ndalën me kaq.
Duke shfrytëzuar momentin e mirë thelluan shifrat në 3-0 me kapitenin Xhixha në minutën e 34-rt.
Ky duhet të ishte goli i KO, por në të vërtetë zgjoi skuadrën korçare, që rihapi garën pa u mbyllur pjesa e parë.
Viktor Braga ngushtoi diferencën me një goditje të bukur nga distance, duke lënë pa asnjë shans portierin Bekaj.
Në shtesën përpara pushimit, ishte Musa që shënoi edhe golin e dytë për Skënderbeun.
Në fraksinin e dytë, dy skuadrat krijuan shumë në portat respektive por nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës.
Dramatike ishin minutat e fundit, kur kurçarët ishin sërish pafat, pasi goditja e Nassr u ndal nga shtylla.
Në fund festa ishte për Tiranën, që ngjitet në kuotën e 19 pikëve në vendin e tretë të renditjes, duke kaluar pikërisht Skënderbeun.


