Botuesit frankofonë në Belgjikë po kërkojnë vendosjen e një etikete “pa inteligjencë artificiale” për të certifikuar librat e krijuar përmes punës profesionale njerëzore, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e inteligjencës artificiale në industrinë e botimeve, raportoi të premten RTBF.
Shoqata e Botuesve Belgë (ADEB) ka thënë se etiketa e propozuar do t’i ndihmonte lexuesit të identifikonin librat e krijuar pa përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale (IA), ndërsa do të vinte në pah kontributin e botuesve profesionistë në industrinë e librit.
Përfaqësuesit e ADEB-së kanë shprehur shqetësimet e tyre gjatë një takimi në Bruksel, duke theksuar vlerën e shtuar që botuesit sjellin në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së librave.
Sipas shoqatës, botuesit luajnë rol kyç në mbikëqyrjen e procesit të shkrimit, përfshirë drejtshkrimin dhe koherencën e rrëfimit, si dhe në përcaktimin e dizajnit të librit, kopertinës, tipografisë, çmimit, shpërndarjes dhe mbrojtjes ligjore.
Shoqata është veçanërisht e shqetësuar për popullaritetin në rritje të botimit të pavarur, i cili u mundëson autorëve të botojnë veprat e tyre pa ndërmjetësimin e shtëpive botuese tradicionale, me ndihmën e mjeteve të inteligjencës artificiale.
Megjithatë, botuesit kanë pranuar se krijimi i një sistemi certifikimi “pa inteligjencë artificiale” mund të jetë sfidues, veçanërisht sa i përket garantimit të përmbushjes së kritereve të nevojshme për marrjen e kësaj etikete.


