Investimet në infrastrukturë,sinjalistë dhe eliminimi i pikave të zeza të aksidenteve do të jenë disa nga masat konkrete në Shqipëri për rritjen e sigurisë rrugore.
Ky është objektivi i vendosur në strategjinë Kombëtare 2027-2029. Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi tha se përmirësimi i standarteve është një detyrim në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Një tjetër element në strategji do të jetë edhe shtimi i orëve edukuese për fëmijët në shkolla.
Strategji kombëtare për reduktimine aksidenteve 2027-2029 do të realizohet në bashkëpunim me Komunitetin e Transportit.
Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë aktivitetit që shënon nisjen e fushatës rajonale për sigurinë rrugore “Një moment për jetën”
Është kënaqësi të jemi sot në këtë aktivitet që shënon shpalljen e fushatës rajonale për sigurinë rrugore “Një moment për jetën”, një nismë që përcjell një mesazh të thjeshtë, por me një domethënie të madhe: Në trafik, një moment vëmendjeje, një vendim i drejtë dhe një sjellje e përgjegjshme mund të bëjnë diferencën midis jetës dhe humbjes së saj.
Siguria rrugore nuk është thjesht një çështje infrastrukture, transporti apo zbatimi të rregullave. Ajo është, mbi të gjitha, një çështje e mbrojtjes së jetës dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët si institucione dhe si qytetarë.
Rritja e vazhdueshme e motorizimit në vendin tonë, zgjerimi i flotës së automjeteve dhe dinamika e lëvizjes rrugore e bëjnë edhe më të domosdoshme përmirësimin e kulturës së sigurisë rrugore.
Fatkeqësisht, një pjesë e konsiderueshme e aksidenteve rrugore lidhet drejtpërdrejt me sjelljet e rrezikshme të përdoruesve të rrugës, shpejtësia e papërshtatshme, përdorimi i telefonit, shpërqendrimi, pijet alkolike gjatë drejtimit të automjetit, si dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit dhe ne jemi krejtësisht të qartë për këtë gjë.
Përballë kësaj situate, duhet të kuptojmë se siguria rrugore nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një institucioni. Ajo kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional, koordinim të politikave dhe veprimeve konkrete, angazhim të organeve ligjzbatuese, institucioneve arsimore, medias, shoqërisë civile dhe, mbi të gjitha të vetë qytetarëve.
Një nga zhvillimet e rëndësishme në këtë drejtim është miratimi nga Qeveria Shqiptare i Strategjisë së Sigurisë Rrugore dhe Planit të Veprimit 2027–2029. Këto dokumente përfaqësojnë një angazhim të qartë të qeverisë për ta trajtuar sigurinë rrugore si prioritet kombëtar, duke vendosur objektiva dhe masa konkrete për reduktimin e aksidenteve, fataliteteve dhe dëmtimeve në rrugët e vendit.
Strategjia mbështetet në parimet e Qasjes së Sistemit të Sigurt, e cila e vendos jetën dhe shëndetin e njeriut në qendër të politikave të transportit. Kjo qasje na kujton se duhet të ndërtojmë një sistem rrugor ku gabimet njerëzore të mos përkthehen domosdoshmërish në humbje jete.
Për këtë arsye, ndërhyrjet tona duhet të jenë gjithëpërfshirëse, nga përmirësimi i menaxhimit të sigurisë rrugore dhe investimet përkatëse në infrastrukturë, te standardet e automjeteve, edukimi i përdoruesve të rrugës dhe forcimi i kapaciteteve të reagimit ndaj emergjencave.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijon angazhimin e saj për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e këtij kuadri me standardet më të mira të legjislacionit të Bashkimit Evropian, detyrim ky edhe në përputhje me Kapitullin 14 të BE-së.
Njëkohësisht, do të vijojmë me investime për rritjen e sigurisë së rrjetit rrugor, përmes përmirësimit të sinjalistikës, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të infrastrukturës rrugore, si dhe identifikimit dhe eliminimit të pikave të zeza.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë luan edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila, përmes reformave të ndërmarra, ka përmirësuar ndjeshëm ofrimin e shërbimeve për qytetarët në drejtim të regjistrimit të mjeteve, pajisjes me leje drejtimi dhe kontrollit teknik të automjeteve.
Digjitalizimi dhe zgjerimi i shërbimeve online të këtij institucioni kanë reduktuar kohën dhe kostot për qytetarët, duke e bërë administrimin e shërbimeve të transportit rrugor më efikas dhe më të aksesueshëm. Por, krahas investimeve, legjislacionit dhe reformave institucionale, ekziston një element shumë i rëndësishëm pa të cilin të gjitha këto politika që ne i realizojmë nuk kanë kuptim. Edukimi dhe ndërgjegjësimi i përdoruesve të rrugës.
Kultura e sigurisë rrugore ndërtohet që në fëmijëri. Ajo fillon me njohjen e semaforit, me mësimin për të kaluar rrugën në vijat e bardha, me respektimin e sinjalistikës dhe me kuptimin se rruga është një hapësirë e përbashkët, ku secili prej nesh ka të drejta, por aja çka është më e rëndësishme, ka edhe përgjegjësi.
Pikërisht për këtë arsye, DPSHTRR i kushton një rëndësi të veçantë edukimit të fëmijëve dhe të rinjve përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese në kopshtet dhe shkollat 9-vjeçare. Këto aktivitete nuk kufizohen vetëm në përcjelljen e informacionit teorik. Ato kombinojnë bashkëbisedimin, lojërat edukative, ilustrimet, demonstrimet praktike, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të mësojnë përmes përvojës.
Synimi ynë është që këto njohuri të mos mbeten thjesht një informacion i marrë në klasë, por të kthehen në zakone të përditshme, të cilat fëmijët t’i përcjellin edhe në familjet dhe komunitetet e shoqërinë e tyre. Sepse sigurisht një fëmijë që mëson sot të respektojë rregullat e qarkullimit, është një qytetar më i përgjegjshëm nesër.
Një tjetër aspekt që kërkon vëmendjen tonë të vazhdueshme është përdorimi i pajisjeve mbrojtëse. Vendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i helmetës për drejtuesit dhe pasagjerët e motoçikletave, si dhe përdorimi i saktë i sistemeve mbajtëse për fëmijët në automjete, janë veprime të thjeshta, por që kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Këto nuk janë thjesht detyrime ligjore. Janë masa që mbrojnë jetën tonë dhe të njerëzve që udhëtojnë me ne.
Asnjë udhëtim nuk është aq i shkurtër sa të justifikojë mosvendosjen e rripit të sigurimit. Asnjë telefonatë apo mesazh nuk është aq urgjent sa të justifikojë shpërqendrimin gjatë drejtimit të automjetit. Dhe asnjë shpejtësi nuk ia vlen të rrezikojë jetën tonë apo të dikujt tjetër.
Prandaj, përmirësimi i përdorimit të këtyre pajisjeve kërkon jo vetëm zbatimin e vazhdueshëm të legjislacionit dhe kontrolle efektive, por edhe fushata të synuara ndërgjegjësimi, që ndihmojnë qytetarët të kuptojnë rëndësinë e çdo veprimi të tyre në trafik.
Në këtë kuadër, aktivitetet që organizojmë në bashkëpunim me partnerët apo institucionet e organizatat e ndryshme ndërkombëtare, në shënim të Javës Globale të Sigurisë Rrugore, Javës Evropiane të Lëvizshmërisë, Ditës Ndërkombëtare të Arsimit dhe Javës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Aksidenteve Rrugore, janë pjesë e përpjekjes sonë të vazhdueshme për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të sigurisë rrugore.
Të nderuar pjesëmarrës!
Fushata rajonale “Një moment për jetën” vjen si një mundësi e rëndësishme për të bashkuar përpjekjet tona dhe për të përcjellë një mesazh të përbashkët në të gjithë rajonin.
Mesazhi është një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi individuale. Një moment për jetën kjo iniciativë, sepse çdo jetë ka rëndësi dhe çdo vendim i përgjegjshëm në rrugë mund të shpëtojë jetë!
Besoj se përmes bashkëpunimit me Komunitetin e Transportit, falënderoj edhe drejtorin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të gjithë partnerët tanë, mund t’i japim kësaj fushate një shtrirje sa më të gjerë dhe me një ndikim konkret në ndërgjegjësimin e qytetarëve.
Angazhimi ynë duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i koordinuar dhe në mënyrë që politikat dhe masat që ndërmarrim të adresojnë realisht problematikat dhe grupet më të ekspozuara ndaj rrezikut.
Sepse në fund të ditës, suksesi ynë nuk matet vetëm me kilometrat e rrugëve të ndërtuara, apo me numrin e akteve ligjore të miratuara dhe me shërbimet e përmirësuara, por mbi të gjitha matet me numrin e jetëve të shpëtuara që arrijmë të mbrojmë.
Ju falënderoj për angazhimin, bashkëpunimin dhe kontributin tuaj.


