Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka uruar shqiptarët për Festën e Pavarësisë, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama.
Ajo vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, duke theksuar se udhërrëfyesi i përgatitur nga BE-ja është dëshmi e besimit te vendi dhe te mundësia për të përmbushur reformat.
Kos nënvizoi se, pavarësisht sfidave gjeopolitike, procesi i zgjerimit mund të vijojë përpara, ndërsa vlerësoi orientimin proevropian të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimin në NATO dhe zhvillimin e turizmit.
“Udhërrëfyesi që kemi përgatitur është një shenjë e qartë e besimit tonë te Shqipëria dhe te mundësia që ajo t’i arrijë rezultatet e synuara. Por është edhe përgjegjësia jonë të bëjmë punën tonë, sepse të dyja palët duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Situata gjeopolitike është e tensionuar në të gjithë botën, por kjo situatë e ka shtyrë më tej përpara procesin e zgjerimit. Prandaj, ne mund të ecim përpara. Mund të jetë më e vështirë se në të shkuarën, por çështja është se këto zhvillime po ecin në mënyrë paralele.
Ne duam të punojmë për të ndihmuar vendet kandidate. Rruga përpara nuk është e lehtë dhe do të ketë luhatjet e veta për çdo kandidat. Dialogu është ai që duhet të ekzistojë. Prandaj, meqë së shpejti do të festoni 28 Nëntorin, Gëzuar Pavarësinë për të gjithë shqiptarët! Le të mos harrojmë atë që ka arritur Shqipëria gjatë kësaj rruge, nga një vend i izoluar komunist në atë që është sot. Orientimi proevropian i qytetarëve shqiptarë është më i larti në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ajo që keni arritur është, sinqerisht, shumë.
Ju jeni anëtar të NATO-s dhe jeni në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Tashmë keni gjetur edhe një vend në hartën botërore të turizmit. Gëzuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë!”, theksoi ajo.


