Katër ditë pas rrëzimit, Irani ka pranuar se ushtria qëlloi “pa dashur” avionin ukrainas, ku humbën jetën 176 personat që ndodheshin në bord.
Përmes dy postimeve në Twitter lideri iranian Hasan Rouhani shpreh keqardhjen e thellë për atë që e quan një “gabim shkatërrimtar”. Ruani thotë se hetimi i brendshëm i forcave të armatosura konkludoi se fatkeqësisht se lëshimi i raketave ishte një gabim njerëzor që çoi në përplasjen e avionit Ukrainas dhe vdekjen e 176 njerëzve të pafajshëm.
Hetimi vazhdon për të identifikuar e ndëshkuar përgjegjësit e këtij gabimi të pafalshëm. Më parë Irani kishte mohuar përgjegjësinë për rrëzimin e avionit ukrainas, por pavarësisht se pranoi përgjegjësinë për atë tragjedi ajrore, Irani nuk kurseu akuzat për Uashingtonin.
Ministri i Jashtëm Iranian Zarif, u shpreh se gabimi që u krye ndaj avionit ndodhi në momentin e krizës të shkaktuar nga aventurat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri i Kanadasë Xhastin Trudo i kërkoi Teheranit transparencë dhe drejtësi për viktimat. Në një deklaratë për mediat ai e cilësoi si një tragjedi kombëtare për Kanadanë, pasi 63 viktimat ishin kanadezë.
Ndërkaq Presidenti ukrainas ka kerkuar drejtësi. Volodymyr Zelensky ka kërkuar nxjerrjen para ligjit të përgjegjësve për sulmin si dhe qeverisë që të paguajë dëmshpërblim ndaj familjarëve të viktimave.
Rrëzimi i avionit ukrainas erdhi disa orë pasi Irani sulmoi me raketa dy baza ajrore të SHBA-ve në Irak. Të 176 pasagjerët, të cilët udhëtonin drejt Kievit, humbën jetën.
Viktimat ishin 82 iranianë, 57 kanadezë, 11 ukrainas si dhe suedezë, britanikë, afganistanas dhe gjermanë.
Sakaq, zhvillimet e fundit në Iran kanë shkaktuar protesta masive në vend ku shumë persona kërkojnë dhe dorëheqjen e liderit suprem Khamenei./abcnews.al