Një piano, një pasion i lindur herët dhe një rrugëtim që e çoi nga Tirana në disa prej skenave më prestigjioze të Evropës. Kjo është historia e Pantesilena (Paola) Jahos, pianistes shqiptare që ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare mes Italisë, Spanjës, Francës dhe Irlandës.
Dashuria për muzikën nisi që në fëmijëri, për t’u kthyer në një zgjedhje profesionale pas formimit në Liceun Artistik të Tiranës. Më pas, rrugëtimi akademik vijoi në Itali, në Konservatorin “Luigi Cherubini” të Firences, dhe në Spanjë, në Real Conservatorio Superior de Música të Madridit.
Por Paola nuk u mjaftua vetëm me interpretimin në piano. Ajo zgjodhi të depërtonte në botën komplekse të operës, duke u specializuar si pianiste repetitore dhe trajnere vokale. Një përvojë vendimtare ishte pjesëmarrja në studion operistike Crescendo të Teatro Real në Madrid, ku njohu nga afër mekanizmat e përgatitjes dhe realizimit të një produksioni operistik.
Karriera e saj mori një dimension edhe më ndërkombëtar me Festivalin e Operës Ëexford në Irlandë, ku mori pjesë në produksionin “L’Aube Rouge” në vitin 2023 dhe u rikthye në vitin 2024 për një tjetër projekt. Në rrugëtimin e saj artistik janë edhe bashkëpunimet me Teatro Real në Madrid, Opéra National de Paris dhe Festivalin e njohur të Aix-en-Provence në Francë.
Një kapitull i veçantë është bashkëpunimi me sopranon e njohur Ermonela Jaho, hallën e saj, me të cilën ka ndarë skenën në koncerte, përgatitje rolesh dhe projekte ndërkombëtare, përfshirë regjistrimin e një CD-je me vepra të Donizettit.
Nga recitale me Filarmoninë e Maqedonisë së Veriut te Festival Castell de Peralada në Spanjë, Pantesilena Jaho ka ndërtuar një profil artistik që kapërcen kufijtë e interpretimit tradicional të pianos. Si lindi ëndrra për t’u bërë pianiste? Çfarë ndodh pas kuintave të një produksioni operistik dhe sa e vështirë është të ndërtosh një karrierë në skenat ndërkombëtare? Një rrëfim për muzikën, përkushtimin dhe ambicien për të përfaqësuar artin shqiptar në Evropë./abcnews.al



