Bayern Munich ka sqaruar zyrtarisht situatën shëndetësore dhe kontraktuale të Jamal Musiala, pra të tashmen dhe të ardhmen e talentit gjerman, që po kalon një moment të vështirë, aq sa rrezikon të gjithë karrierën e tij.
Për herë të parë, klubi bavarez zbuloi se njihej me gjëndjen e futbollistit shumë kohë, përpara se ajo të shfaqej në sytë e të gjithëve.
Bayern Munich ka treguar se Jamal Musiala iu nënshtrua për herë të parë ekzaminimeve mjekësore për simptoma që ngjajnë me krizat e mungesës së vetëdijes më 22 prill 2025, dy muaj pasi ai nënshkroi zgjatjen e kontratës me klubin, e cila është e vlefshme deri më 30 qershor 2030. Ky sqarim u dha në një deklaratë të publikuar nga klubi së bashku me agjencinë që përfaqëson lojtarin, pas thashethemeve që kishin qarkulluar ditët e fundit lidhur me historikun mjekësor të futbollistit gjerman.
Sipas deklaratës, ekzaminimet u kryen “në koordinim me Bayern dhe stafin e tij mjekësor, menjëherë pas shfaqjes fillestare të simptomave neurologjike”.
Deklarata vjen pas komenteve publike të bëra nga anëtarët e bordit mbikëqyrës, Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge, të cilët kishin ngritur mundësinë e një uljeje të pagës, duke vënë në dyshim nëse Musiala do të ishte në gjendje të kthehej në nivelin e tij të mëparshëm.
Në vazhdën e kësaj polemike, drejtuesit e klubit, përfshirë presidentin Herbert Hainer u takuan me përfaqësuesit e lojtarit.
Diskutimi u përshkrua si “konstruktiv”. “Për të dyja palët, shëndeti i lojtarit është prioriteti absolut. Jamal Musiala do të marrë mbështetje të plotë gjatë gjithë periudhës së rikuperimit të tij,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se klubi dhe përfaqësuesit e lojtarit kanë rënë dakord të vazhdojnë dialogun e tyre “në frymën e bashkëpunimit dhe mbi baza konfidenciale”.



