Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni, do të përballen me një tjetër proces gjyqësor në Francë. Këtë herë, ata akuzohen për përfshirje në një përpjekje për të manipuluar dëshminë e një prej personave kyç në çështjen e financimit të dyshuar të fushatës presidenciale të vitit 2007 nga regjimi i ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi.
Në total, 11 persona do të dalin përpara Gjykatës Penale të Parisit, në një proces që pritet të zhvillohet nga 3 nëntori deri më 2 dhjetor 2027.
Në qendër të çështjes është biznesmeni libian Ziad Takieddine, një nga dëshmitarët kryesorë në hetimin për financimin e dyshuar të fushatës presidenciale të Sarkozy-t nga regjimi i Gaddafit. Fillimisht, Takieddine kishte deklaruar se dispononte prova për transfertat e parave nga Libia drejt fushatës së ish-presidentit francez. Por, disa vite më vonë, ai tërhoqi dëshminë e tij përmes një interviste televizive dhe në shtypin francez.
Pikërisht kjo tërheqje është bërë objekt i hetimit të ri. Prokuroria dyshon se është organizuar një përpjekje për ta bindur dëshmitarin të ndryshonte deklaratat në këmbim të përfitimeve financiare, me qëllim që të ndihmohej Sarkozy në procesin gjyqësor. Hetuesit po shqyrtojnë rolin që dyshohet se kanë pasur Sarkozy, bashkëshortja e tij Carla Bruni dhe persona të tjerë në këtë përpjekje për të ndikuar në dëshminë e Takieddine.
Hetimet e nisura në vitin 2021 ngritën dyshime se tërheqja e dëshmisë mund të ishte pjesë e një përpjekjeje të organizuar për të ndikuar në procesin gjyqësor. Sarkozy dhe Bruni akuzohen për komplot për mashtrim nga një grup i organizuar dhe për fshehje të ryshfetit ndaj një dëshmitari. Të dy kanë mohuar çdo shkelje.
Procesi i ri vjen vetëm pak ditë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjen kryesore të financimit të dyshuar libian, në të cilën Sarkozy është dënuar me pesë vite burg në shkallën e parë.



