Partia Demokratike njofton se po heton për dekriminalizimin dhe tre kryebashkiakë socialistë të tjerë, një në qarkun Lezhë dhe dy në qarkun Dibër. Gazment Bardhi tha se informacioni do të bëhet publik kur të provohet vërtetësia e dyshimeve.
Pasi dërgoi Valdrin Pjetrin në shtëpi, dhe Agim Kajmakun në arrati, Partia Demokrati njofton se po verifikon për të shkuar kriminale edhe tre kryebashkiakë të tjerë socialistë. Kjo u pohua nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, gjatë takimit me strukturat e Lezhës.
“Është duke u verifikuar një nga kryebashkiakët e qarkut të Lezhës. Ashtu siç kemi vepruar edhe më parë, në momentin që vërtetohet se ka probleme me ligjin e dekriminalizimit atëhere do t’i bëjmë publike“, tha Bardhi.
Nga Dibra, numri dy i demokratëve, tha se lista nuk mbaron me kaq.
Si një prej kushteve të bundestagut gjerman për negociatat, Bardhi kërkoi nga Prokuroria arrestimin e përgjegjësve për dosjen 184.
Deri më tani, në betejën e demokratëve për dekriminalizimin, ka rënë kryebashkiaku i Shkodrës dhe ai i Vorës, ndërsa nën hetim nga Prokuroria, është Mark Babani i Vaut të Dejës. I akuzuari i fundit i demokratëve, është Qeerim Ismailaj i Mallakastrës.

