Gazetarja Etleva Delia, në “News Line” në ABC News, ka dhënë detaje mbi hetimet për ekzekutimin e Selami Hasanit në Fier, ku mbeti i vrarë ai dhe u plagos nipi i tij.
Sipas gazetares, pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e hakmarrjes, ndërsa viktima rezulton të ketë pasur precedentë penalë dhe konflikte të mëparshme.
Delia bëri me dije se autori ka hyrë brenda banesës dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të viktimës. Gjatë intervistës, ajo përmendi edhe një konflikt të hershëm mes Selami Hasanit dhe Arben Isufajt, të lidhur me një vrasje të ndodhur në vitin 2002. Sipas saj, vrasja e babait të Arben Isufajt është bërë pjesë e zinxhirit të ngjarjeve që kanë nxitur edhe sagën e hakmarrjes.
Gazetarja theksoi se, pavarësisht pistës kryesore, hetuesit do të shqyrtojnë çdo mundësi tjetër që mund të ketë lidhje me ngjarjen, edhe pse deri më tani nuk janë raportuar konflikte të tjera.
Ajo ngriti gjithashtu dyshime se djegia e automjetit dhe mënyra e ekzekutimit mund të tregojnë për një krim të organizuar, duke përmendur mundësinë e përfshirjes së vrasësve me pagesë.
“Viktima është një personazh me precedent penal. Kjo ngjarje ka sjellë një sagë hakmarrje, viktima ishte në konflikt me Arben Isufajn për një vrasje të ndodhur në vitin 2002.Vrasja e babait të Arben Isufajt ishte edhe zinxhiri për të nisur një hakmarrje. Megjithatë do të shikohet çdo mundësi që mund të lidhet me këtë ngjarje. Edhe pse nuk është raportuar për konflikte të tjera. Por pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes. Fakti që është vrarë në derë të shtëpisë lidhet edhe me çështjen e hakmarrjes, makina është djegur dhe këto janë veprime që kryhen kryesisht nga personazhe që janë vrasës me pagesë. Ai pothuasje e kishte kryer masën e dënimit ndonëse mund të ketë pasur ulje, ndërsa ishte dënuar për vrasjen e Julian Isufajt”, tha ajo.
/abcnews.al/



