Irani ka bërë të ditur se ushtria amerikane ka kryer disa sulme ajrore në ishullin Qeshm, në jug të vendit, ndërsa më herët gjatë së martës të paktën pesë anije janë goditur nga mina detare në Ngushticën e Hormuzit.
Zyrtarët iranianë thanë se sulmet amerikane u zhvilluan të martën në mbrëmje, ndërsa banorët raportuan se në zonë u dëgjuan të paktën pesë shpërthime.
Ahmad Nafisi, zëvendësguvernator i provincës Hormozgan, deklaroi për agjencinë zyrtare të lajmeve IRNA se sulmet amerikane nuk shkaktuan dëme në zonat e banuara apo ato tregtare.
“Situata në ishullin Qeshm është nën kontroll dhe të gjitha strukturat e emergjencës, shërbimeve dhe administratës janë në gatishmëri të plotë”, tha ai.
Agjencia IRNA raportoi se në qytetin Qeshm u dëgjuan “pesë deri në gjashtë shpërthime”. Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare Fars, duke cituar banorë të ishullit, bëri të ditur se disa shpërthime u dëgjuan në veriperëndim të qytetit, ndërsa në të njëjtën kohë u pa tym që ngrihej në qiell.
Zyrtarë amerikanë konfirmuan të martën vonë se avionët luftarakë të SHBA-së kishin goditur pozicionet e lëshimit të raketave iraniane në ishull. Sipas tyre, sulmet janë pjesë e një strategjie të ngjashme me atë të ditëve të mëparshme dhe u ndërmorën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër personelit dhe aseteve amerikane.
Sulmet amerikane pasuan disa incidente në Ngushticën e Hormuzit, ku të paktën pesë anije u goditën nga mina detare gjatë lundrimit në rrugë që Irani i konsideron të “paautorizuara”.
Ushtria iraniane deklaroi se anijet duhet të koordinohen me forcat e armatosura të vendit për të kaluar në mënyrë të sigurt nëpër këtë korridor detar.
“Kalimi i sigurt kërkon koordinim me Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit, lundrim përmes zonave të përcaktuara si të sigurta dhe mbajtjen aktive të sistemeve të navigimit”, thuhet në deklaratën e ushtrisë iraniane.



