Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur interesin e Shqipërisë dhe Kosovës për përfshirjen e Japonisë në projektin strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë, e cila parashikohet të vijojë përmes Nishit, duke krijuar një lidhje transporti me Europën Qendrore.
Këtë të hënë, gjatë një takimi me një përfaqësi të gjerë të sipërmarrjes japoneze, kreu i qeverisë shqiptare ka prezantuar mundësinë e investimit japonez në këtë projekt madhor infrastrukturor.
Kryeministri Rama tha se ideja për përfshirjen e Japonisë është diskutuar në disa raste edhe me Kryeministrin e Kosovës, duke nënvizuar interesin e përbashkët të dy vendeve për realizimin e kësaj vepre infrastrukturore.
Një vëmendje të veçantë, kryeministri i kushtoi edhe dimensionit të sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë strategjike që kjo hekurudhë do të kishte për NATO-n.
“Së bashku me Kryeministrin e Kosovës kemi biseduar më shumë se një herë se sa mirë do të ishte ta përfshinim Japoninë në projektin e hekurudhës së re nga Durrësi në Prishtinë, e cila më pas kalon nëpër Nish dhe lidhet me Europën Qendrore. Kjo hekurudhë ka gjithashtu rëndësi shumë, shumë të madhe për NATO-n për shkak të Portit të ri në Durrës, i cili do të ketë edhe një degë të dedikuar 100% për veprimtaritë ushtarake dhe ato të NATO-s”, deklaroi Rama.
Kryeministri e cilësoi projektin si një mundësi interesante investimi, duke ftuar përfaqësuesit japonezë që ta shqyrtojnë dhe të japin vlerësimin e tyre mbi mundësinë e përfshirjes në të.
Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë dhe Kosovës për të bashkëpunuar me qeverinë japoneze apo me çdo partner tjetër nga Japonia, me qëllim konkretizimin e këtij projekti.
“Ky mund të jetë një investim shumë interesant. Nëse e shqyrtoni projektin, do të na vinte shumë mirë të dëgjonim mendimin tuaj. Së bashku me Qeverinë e Kosovës, jemi gati të punojmë me ju ose me cilindo partner nga Japonia për të parë nëse mund ta realizojmë këtë projekt”, u shpreh kryeministri.



