Aktori britanik Robert Pattinson pritet të marrë rolin e agjentit legjendar James Bond, duke u bërë pasardhësi i Daniel Craig në filmin e ardhshëm të sagës së famshme 007.
Projekti i ri, i njohur përkohësisht si “Bond 26”, ndodhet në fazën e zhvillimit dhe pritet të shënojë një kapitull të ri për ekskluzivitetin e njohur të kinematografisë.
Skenari i filmit do të shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit “Peaky Blinders”, ndërsa regjia do t’i besohet Denis Villeneuve, i njohur për realizimin e filmave “Dune”. Në rolin e producentëve do të jenë Amy Pascal dhe David Heyman.
Sipas planifikimeve paraprake, xhirimet pritet të nisin gjatë vitit 2027, ndërsa premiera e filmit parashikohet për vitin 2028. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar për datat e sakta.
Daniel Craig, i cili interpretoi James Bond për herë të parë në “Casino Royale” në vitin 2006, u largua nga roli pas pesë filmave. Aventurën e tij si agjenti 007 e përmbylli me “No Time To Die”, publikuar në vitin 2021.
Filmi i ardhshëm do të jetë i pari pas ndryshimit të drejtimit krijues të sagës, pas tërheqjes së producentëve afatgjatë Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson dhe kalimit të kontrollit krijues te Amazon, pas blerjes së MGM.
Nëse konfirmohet, Robert Pattinson do të bëhet aktori i shtatë që interpreton James Bond në ekranin e madh, duke iu bashkuar emrave të njohur si Sean Connery, George Lazenby, Roger Moore, Timothy Dalton, Pierce Brosnan dhe Daniel Craig.



