E ndaluar nga policia e Kosovës për trafik kokaine, por 26 vjeçarja Blerta Hyseni humbet jetën gjatë intervistimit brenda stacionit policior në Prizren.
Hyseni u ndalua së bashku me shtetasin Adnan Podvoricën, i lindur në vitin 1978, gjatë një operacioni të njësive të antidrogës në pikën kufitare të Vërmicës më 15 nëntor, kur hetuesit e antidrogës në Prishtinë siguruan informacione operative se dyshja kishte udhëtuar drejt Kukësit, në Shqipëri, me dyshimin se do të furnizohej me kokainë.
Rreth orës 18:00, policia ndaloi mjetin me të cilin udhëtonin, një BMË X6 të kuqe, menjëherë pasi kishte hyrë në territorin e Kosovës.
Në timon ishte Podvorica, ndërsa në ulësen e pasagjerit ndodhej Hyseni.
Kontrolli i detajuar i veturës përfundoi me zbulimin e 105.7 gramëve substancë të dyshuar kokainë. Gjithashtu, u sekuestruan dy fishekë të kalibrit 9 mm, dy telefona iPhone dhe vetura.
Pas konsultimit me Prokurorinë Themelore në Prizren, u dha urdhër që të dy personat të intervistoheshin si të dyshuar për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shitjen ose shpërndarjen e paautorizuar të narkotikëve dhe më pas të ndaloheshin për 48 orë.
Gjatë përgatitjeve për intervistimin e Blerta Hysenit, në praninë e avokatit të saj mbrojtës, asaj iu përkeqësua papritur gjendja shëndetësore. duke shfaqur simptoma të dyshuara të ngjashme me kriza epileptike.
Policia kërkoi menjëherë ndihmën e emergjencës, ndërsa ekipet mjekësore mbërritën në stacion dhe i ofruan ndihmën e parë. Më pas, Hyseni u transportua në Emergjencë për trajtim të mëtejshëm.
Rreth orës 01:30 pas mesnatës, Blerta Hyseni ndërroi jetë.
Vdekja e saj ka hapur një hetim të veçantë nga hetuesit rajonalë në Prizren, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet për t’u përcaktuar nga organet kompetente.
Ndërkohë, hetimet për substancën e dyshuar narkotike të sekuestruar në Vërmicë po vazhdojnë nga njësia e antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.



